Ngritja e Kosovës në hendboll, pozicionohet në vend të parë në vazon e katërt në kualifikimet për ‘Euro 2024’

22:59 | 22 Mars 2022
KRG

Federata Evropiane e Hendbollit ka ndarë në vazo ekipet përfaqësuese që do të paraqiten në kualifikime për ‘Euro 2024’. Ndarja nëpër vazo është bërë në bazë të ranglistës së EHF-së për ekipe nacionale, përkatësisht në bazë të suksesit të viteve të fundit.

Pjesë e kualifikimeve është edhe skuadra e Kosovës. Madje avancimi i saj në ranglistë është i konsiderueshëm.

Për ‘Euro 2018’ e ‘Euro 2020’, Kosova ishte në fazën e parë kualifikuese. Për ‘Euro 2022’, Kosova ishte në kualifikimet e rregullta, por e parafundit në vazon e katërt. Vetëm Ishujt Faroe ishin më poshtë se Kosova në vazo.

Për shortin e kualifikimeve për ‘Euro 2024’, Kosova është e para në vazon e katërt. Falë sukseseve në vitet e kaluara, ka lënë prapa në vazo Belgjikën, Estoninë, Ishujt Faroe, Finlandën, Italinë, Gjeorgjinë dhe Luksemburgun.

Në vazon e parë janë: Norvegjia, Franca, Kroacia, Sllovenia, Hungaria, Portugalia, Islanda dhe Austria. Në vazon e dytë janë: Çekia, Polonia, Holanda, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia e Zvicra. Vazo e tretë përbëhet nga Bosnjë-Hercegovina, Lituania, Letonia, Izraeli, Sllovakia, Turqia, Rumania e Greqia. Kosova në grup do të ketë nga një kombëtare të secilës prej tri vazove të para.

Kualifikimet për ‘Euro 2024’ fillojnë më 12 tetor të këtij viti dhe përfundojnë më 30 prill të vitit të ardhshëm.

Dy skuadrat e para në të gjitha tetë grupet kualifikohen në Evropian. Po ashtu, kualifikohen edhe katër prej tetë përfaqësueseve më të mira të vendit të tretë.

Kualifikimi në ‘Euro 2024’ është synimi i madh i ekipit të Kosovës në hendboll në konkurrencën e meshkujve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme