Nga golat tek Granada deri tek kombëtarja kuqezi, Uzuni i flet të gjitha

08:59 | 12 Nëntor 2024
D.H

Myrto Uzuni po vazhdon formën fantastike këtë sezon në La Liga 2 me Granadan.

Futbollisti shqiptar këtë fundjavë realizoi dy gola dhe tashmë është vetëm një realizim larg për ta barazuar rekordmenin El Arabi i cili ka realizuar 44 gola me fanellën e Granadas, shkruan Arbersh.info.

Ndërsa, Myrto është në kuotën e 33 golave, së fundmi u ftua edhe nga kombëtarja e Shqipërisë për dy ndeshjet e nëntorit.

Në një intervistë për “Euroneës Albania”, ai ka folur për karrierën tek Granada si dhe kombëtaren kuqezi.

“Më mungon vetëm një gol për të hyrë në historinë e Granadas. El Arabi ka shënuar 44 gola në 134 ndeshje unë 43 gola në 100 ndeshje dhe kam statistika më të mira. Normale kjo vjen pas një pune shumë të lodhshme. Unë i dedikohem shumë futbollit, mbaj një regjim konstant, gjithmonë e ruaj veten që të jem sa më i freskët”, tha fillimisht Uzuni.

Më tej sulmuesi shqiptar ka treguar për dashurinë që merr në qytetin e Granadas.

“Ndihem shumë mirë këtu, njerëzit më adhurojnë. Kur më shohin në rrugë duan autografe, nuk mund të ulem as në restorante sepse nuk ndalojnë. Kur kam pushim dal jashtë nga Granada, sepse këtu nuk kam privatësi”, shtoi tutje.

Uzuni u pyet edhe për mungesën e golave tek kombëtarja.

“Të luash për Kombëtaren është një ndjenjë e veçantë. Por besoj edhe golat do të vijnë tani, pasi edhe trajneri Sylvinho në këtë moment më sheh si sulmues dhe unë ndihem më mirë kur jam afër portës. Statistikat e mia flasin qartë, kam shënuar 43 golat në tre vitet e fundit dhe normalisht jap më të mirën kur luaj pas sulmuesit, por unë jap gjithçka ku më thotë trajneri”, theksoi ai ndër të tjera.

Shqipëria do të luaj dy ndeshje vendimtare ndaj Çekisë dhe Ukrainës për të siguruar vendin e parë në tabelë në kuadër të Ligës B të Kombeve./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme