Në kuadër të vizitës që ka zhvilluar Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në rajonin e Drenicës, ka qëndruar edhe në Komunën e Drenasit, ku u takua me kryetarin Ramiz Lladrovci.
Të dy diskutuan për projektet e përbashkëta që po implementohen dhe janë në plan për të ardhmen, në fushat e kulturës, rinisë, sportit e trashëgimisë. Me theks u bisedua për stadiumin kombëtar dhe fazën në të cilën ka arritur ky projekt i rëndësisë kombëtare.
Në këtë takim u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit mes MKRS-së dhe Komunës së Drenasit, për ndërtimin e stadiumit të Drenasit, ku MKRS-ja do të investojë 1 milion e 500 mijë euro ndërsa komuna do të investojë 370 mijë sosh.
Implementimi i projektit, në bazë të memorandumit, parashihet të realizohet në tri faza, respektivisht gjatë viteve 2018, 2019 dhe 2020. Në vitin 2018, MKRS ndan mjete për projektin në fjalë në vlerë prej 300 mijë euro, ndërsa Komuna 120 mijë; në vitin 2019, MKRS ndan 400 mijë euro e Komuna 150 mijë, dhe në fazën e fundit në vitin 2020 MKRS ndan 800 mijë ndërkaq Komuna 100 mijë euro.
Ministri Gashi tha se me nënshkrimin e memorandumit mundësohet fillimi i ndërtimit të stadiumit të Drenasit që ai të jetë një arenë sportive e standardeve ndërkombëtare që do të vihet në shërbim të futbollistëve dhe futbolldashësve të Drenasit.
“Diskutuam shumë tema të ndryshme sa i përket fushës së kulturës, rinisë dhe sportit dhe trashëgimisë. Me theks të veçantë diskutuam edhe për stadium kombëtar për procedurat e zhvilluara deri më tani dhe fazat ku kemi arritur, por gjithashtu bashkë me komunën e Drenasit edhe me Federatën e Futbollit të Kosovës do të fillojmë edhe ndërtimin e stadiumit ndihmës të Drenasit i cili do jetë me bari sintetik. Dhe unë e falënderoj kryetarin që ka qenë i gatshëm dhe përmes Kuvendit të komunës të ndaj parcelën për këtë stadium”, u shpreh Gashi.
“Si MKRS zotohemi se do të angazhohemi maksimalisht që të investojmë në infrastrukturën fizike sportive si një parakusht për zhvillimin e aktiviteteve si dhe rritjen e cilësisë, në këtë rast në futboll. I porosis që investimet që bëjmë bashkërisht të ruhen e të menaxhohen në mënyrën sa më të mirë të mundshme, ashtu që të përcillet te gjeneratat e reja mesazhi që pasuritë dhe objektet publike janë pronë e të gjithë neve dhe ato duhet të ruhen më mirë se sa pronat private”, tha ministri Gashi.
Ministri ka vlerësuar se me Komunën e Drenasit por edhe komunat tjera të Kosovës MKRS-ja ka një komunikim dhe koordinim të rregullt dhe në bazë të planifikimit buxhetor ministria mundohet të jetë e pranishme me investimet e saj në projekte të shumta.
Nga ana e tij, kryetari Lladrovci, u shpreh se përmes memorandumit që kanë nënshkruar sot, stadiumi i Drenasit do të marrë një pamje moderne.
“I premtova ministrit që të gjitha procedurat për zhvillimin e punimeve ose atyre punimeve fillestare në stadiumin nacional do jem i gatshëm ta jap gjithë kontributin tim si kryetar komune por edhe si komunë që atje të zhvillohen sa më shpejt procedurat dhe sa më shpejt ta shohim stadiumin që ka filluar të ndërtohet një stadium që i ka munguar Kosovës, dhe një stadium që do të vendoset në vendin më të duhur jo pse i ka ra hise me qenë në komunën tonë”, ka deklaruar Lladrovci.
Pas takimit në komunë dhe nënshkrimit të memorandumit, Ministri Kujtim Gashi dhe Kryetari Ramiz Lladrovci vizituan edhe stadiumin e qytetit “Rexhep Rexhepi” dhe vendin se ku është caktuar ndërtimi i stadiumit nacional të Kosovës.
Asociacioni “do të jetë” kusht edhe për BE, thotë Guerot
Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika ...
Haradinaj: Anëtarësimi direkt në NATO është domosdoshmëri pë...
Reagon Ana përmes një postimi pas daljes nga “Big Brother”
Ellek: Pres që Lista Serbe të marrë pjesë në zgjedhje
Ukraina humbi 40 për qind të territorit që kontrollonte në K...