Në mes të pandemisë lejohen tifozë brenda stadiumit në Podujevë

13:37 | 6 Dhjetor 2020
Arbresh.info

Ndeshja e javës së 16-të të Superligës ndërmjet Llapit dhe Besës së Pejës është duke u zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti”. Kjo ndeshje me protokollin e Federatës së Futbollit të Kosovës do të duhej të zhvillohet pa praninë e tifozëve në stadium, shkruan Insporti.

Megjithatë, kjo për skuadrën vendëse dhe zyrtarët e ndeshjes nuk po vlen, pasi kanë lejuar tifozë të futen në stadium.

Nga foto e siguara nga Insporti, shihet një numër i madh i tifozëve që janë futur brenda shkallëve të stadiumit për ta shikuar këtë ndeshje, duke dalë kundër protokollit zyrtar të FFK-së.

Në protokollin e FFK-së për këtë periudhë të pandemisë, lejohen vetëm nga 10 zyrtarë të klubeve dhe gazetarët që përcjellin ndeshjen.

Delegat në këtë ndeshje është Hamdi Elshani, por duket se atij nuk po i pengojnë këta tifozë, anipse punon sipas rregullave të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Kjo nuk është hera e parë që Llapi lejon tifozët brenda stadiumit, pasi edhe në takimin kundër Prishtinës kishte bërë një gjë të tillë para 11 ditëve.

Për këtë, Komisioni Disiplinor i FFK-së e kishte gjobitur Llapin me 1 mijë euro.

Ndryshe, pas 20 minutave të para Llapi është në avantazh 2:0 kundër Besës së Pejës./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme