Ndikohen nga politika, edhe klubet e Luginës synojnë që të garojnë në futbollin kosovar

17:57 | 13 Shtator 2018
Arbresh.info

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, tash e disa javë e ka ringjallur idenë që Lugina e Preshevës të bashkohet me Kosovën.

Kjo ide ka ngjallur reagime të forta jo vetëm në Kosovë e Serbi, por edhe më gjerë.

Krahas Thaçit e disa politikanëve, historianëve e analistëve vendor, edhe klubet shqiptare të futbollit në Luginën e Preshevës janë ndikuar nga politika teksa shprehet të gatshme që t’i bashkohen Kosovës në garat e  futbollit.

KF Lugina nga Presheva dhe KF Tërnoci nga Bujanoci, janë klubet shqiptare në Luginë të Preshevës.

Insporti.com i ka kontaktuar zyrtarët e këtyre klubeve shqiptare të cilat janë shprehur të gatshëm që t’i bashkohen garave në futbollin e Kosovës.

“Ne edhe para luftës me ekipin e parë kemi qenë pjesë e Ligës së Kosovës, pjesë e Ligës së Dytë dhe pas luftës në Kosovë, kemi marrë pjesë me Shkollën e Futbollit me fatosat dhe pionerët në Ligën Regjionale të Gjilanit. Natyrisht se dëshira jonë do të ishte që ne si klub të jepi pjesë e Ligës së Kosovës”, ka deklaruar për Insporti.com, Enis Salihu, drejtor i klubit Tërnoci.

Ky klub bënë gara në Ligën Rajonale të rrethit të Pçinjes me senior kurse me kategoritë e reja me fatosa dhe pionierë në Regjionin e Serbisë Lindore.

Kryetari i Luginës: Vullneti jonë sikurse i çdo shqiptari është bashkimi me Kosovën. KF Lugina është gati që tu bashkohet garave në futbollin kosovar.

Kryetari i klubit, Nagip Jakupi, deklaron se vullneti për tu bashkuar me Kosovën nuk mungon. “Vullneti jonë është sikurse dëshira e çdo shqiptari, bashkimi me Kosovën. Në rast se Lugina i bashkohet zyrtarisht Kosovës, ne jemi gati”, ka deklaruar Nagip Jakupi.

“Përderisa nuk ka bashkim territorial të Luginës së Preshevës me Kosovën edhe zyrtarisht, ne nuk mund të vendosim se a do të marrim pjesë në ligat përkatëse të futbollit kosovar”, përfundoi Nagip Jakupi.

Seniorët e Luginës garojnë në Ligën e rrethit të Pçinjes kurse pionierët dhe fatosat në Ligën e Rrethit të Nishit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme