Google ADS

Napoli arrin finalen e Kupës së Italisë, i mjafton barazimi kundër Interit

23:16 | 13 Qershor 2020
A. B.

Napoli arriti ta sigurojë vendin në finalen e Kupës së Italisë – kundër Juventusit, më 17 qershor – pasi barazimi 1:1 kundër Interit, në ndeshjen e parë që nga pezullimi i futbollit në mars shkaku i koronavirusit, mjaftoi për ta siguruar kualifikimin në finale me rezultat të përgjithshëm 2:1.

Gafa e portierit të Napolit, David Ospina, bëri që Interi të kalojë në epërsi qysh në minutën e dytë, kur Christian Eriksen shënoi nga korneri. Megjithatë, Ospina e kompensoi gabimin duke e krijuar golin e barazimit, të shënuar nga Dries Mertens në minutën e 41-të e që ia siguroi Napolit vendin në finale, raporton Gazeta Express.

Napoli e kishte fituar ndeshjen e parë me rezultat 1:0 në San Siro, më 12 shkurt, falë një goditjeje të devijuar të Fabian Ruiz. Kjo do të jetë hera e parë e “Partenopeit” në finale të Kupës së Italisë që nga triumfi i tyre në vitin 2014, ndërsa Interi nuk ka arritur në këtë fazë që nga viti 2011.

Interi e nisi ndeshjen në mënyrë të përsosur, duke shënuar qysh në minutën e dytë të ndeshjes, ndërsa Antonio Canderca dhe Marcelo Brozovic nuk ishin larg kuadratit të portës në minutat vijues.

Zikaltrit vazhdonin të sulmonin – përderisa Ashley Young i shpëtoi për pak një kartoni të dytë të verdhë, pas një ndërhyrjeje në Matteo Politanon – por Candreva u tregua vetjak dhe e humbi rast të mirë për ta dyfishuar epërsinë, pasi që gjuajti vetë kur i kishte bashkëlojtarët në pozita më mira.

Në kornerin që vijoi pas pritjes së Ospinas ndaj goditjes së Candrevas, portieri pati rol vendimtar në golin e barazimit, pasi që e gjeti shpejt Lorenzo Insigne, i cili e nisi një kundërsulm të shpejtë dhe Mertens e barazoi rezultatin, duke thyer rekordin si golashënuesi më i mirë në histori të Napolit me 122 gola.

Interi e dominoi ndeshjen edhe gjatë pjesës së dytë, megjithatë asnjëra skuadër nuk arriti të krijojë raste të arta për të shënuar dhe ndeshja përfundoi me rezultatin e pjesës së parë, 1:1. Ky rezultat bën që Napoli tani të shkojë në finale të Kupës së Italisë, ku do të përballet me Juventusit, që e mposhti Milanin të premten.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme