Google ADS

Nagelsmann pritet të jetë zëvendësuesi i Flick tek Kombëtarja e Gjermanisë

15:38 | 19 Shtator 2023
KRG

Federata gjermane e futbollit ka arritur një akord me Julian Nagelsmann për të marrë drejtimin e kombëtares gjermane deri në Europianin e vitit të ardhshëm. Ish-trajneri i Bayernit është pa një skuadër që kur u pushua nga gjigandët bavarezë sezonin e kaluar për t’u zëvendësuar nga Thomas Tuchel.

Gjatë verës pati raportime që e lidhnin Nagelsmann me stolin e PSG, ku u emërua si trajner më pas Luis Enrique.

Ai ka qenë nën kontratë me Bajernin edhe pse nuk ishte trajneri i tyre, me klubin që mund të kërkonte një shumë shpërblimi për ta lënë të lirë, por mediat raportojnë se ajo kontratë tashmë ka përfunduar me teknikun që është i lirë për të marrë drejtimin e Gjermanisë.

Tani 36-vjeçari, që konsiderohet ndër trajnerët e rinj më të mirë në Europë, mund të bëjë një rikthim sensacional duke marrë drejtimin e skuadrës kombëtare. Sipas të përditshmes Bild, tekniku gjerman do të heqë dorë nga rreth 19 milionë euro që i duhej të merrte nga Bayerni deri në 2026 për të marë stolin e nxehtë të kombëtares gjermane.

Kjo nuk do të thotë se Nagelsmann nuk do të fitojë asgjë në drejtimin e Die Mannschaft.

Ai do të paguhet rreth 4.5 milionë euro deri në verën e ardhshme, dhe më pas mund të kthehet sërish në treg, pasi nuk ka indikacione se do të qëndrojë më gjatë te Gjermania. Kampionati i ardhshëm europian do të luhet pikërisht në Gjermani vitin e ardhshëm, turneu i parë madhor në këtë vend që nga Kupa e Botës në 2006.

Deri më tani Gjermania është shfaqur dobët në rrugën e Europianit, madje ka sugjerime se ata nuk do t’ja kishin dalë të kualifikoheshin nëse nuk do të kishin të siguruar biletën si vend organizator.

Si pasojë Hansi Flick u shkarkua më herët në shtator, pas një disfate të sikletshme 4-1 në miqësoren me Japoninë.

Ai kishte fituar vetëm 4 nga 17 ndeshjet e fundit, pavarësisht rekordit të pasur që kishte te Bajerni, ku fitoi Bundesligën, Champions League dhe Kupën e Gjermanisë para se të merte drejtimin e kombëtares./SS

Të ngjashme