Humbja e tenistit zviceran Roger Federer me australianin Thanasi Kokkinakis përbën padyshim rezultatin më befasues të vitit 2018, sidoqoftë disfata e 36-vjecarit nga Bazeli që në turin e dytë të Mastersit të Majemit tashmë ndryshon edhe hierarkinë në klasifikimin e përgjithshëm të tenisit botëror.
Mbreti i këtij sporti i rrëmbeu vendin e parë spanjollit Rafael Nadal me pjesëmarrjen surprizë në turneun e Roterdamit, duke i dhënë fund mbretërimit prej 26 javësh të Rafës në renditjen ATP.
Në Holandë tenistit helvet i mjaftonte thjesht kualifikimi për në fazën gjysmëfinale, megjithatë Roger triumfoi në turneun 500 pikësh të Roterdamit, duke mposhtur në finale bullgarin Grigor Dimitrov. Për vetë mënyrën e përllogaritjeve që bëhen për të përcaktuar klasifikimin botëror ishte e qartë që Roger Federer do ta kishte tepër të vështirë për të mbrojtur 2.000 pikët e një viti më parë në “Sunshine Masters”, siç quhen dy turnetë që zhvillohen njëri pas tjetrit në Indian Wells dhe Miami.
12 muaj më parë Federer triumfoi si në Kaliforni ashtu edhe në Florida duke eliminuar rrugës në të dy rastet Rafën, gjithsesi në sezonin e sivjetshëm 31-vjeçari nga Majorka i bëri një favor të jashtëzakonshëm zviceranit, duke u tërhequr nga të dy turnetë për shkak të problemeve fizike.
Praktikisht Federerit për të ruajtur fronin edhe pas Mastersit të Majemit do t’i kishte mjaftuar qoftë edhe titulli në Indian Wells, por Juan Martin Del Potro i anuloi veteranit helvet plot tre mundësi për ndeshjen, për të siguruar të parin trofe Masters në karrierë, raporton SS. Humbja në finalen e turneut kalifornian e privoi Federerin nga 400 pikë, kështuqë zviceranit i nevojitej patjetër kualifikimi për në fazën çerekfinale të Mastersit të Majemit, për të shtyrë matematikisht qëndrimin në fron të paktën deri në mbylljen e turneut në Florida, por eliminimi i papritur nga Kokkinakis rikthen kështu Rafën në fron, ndonëse tenisti iberik nuk ka shkëmbyer asnjë top në ndeshje zyrtare, që pas turneut Australian Open.
Rafael Nadal do të jetë zyrtarisht numri 1 i botës më datë 2 prill dhe mbretërimi i Federerit do të ndalet në plot 309 javë, sidoqoftë veterani zviceran grisi gjithë rekordet e këtij sporti kur u rikthye në çatinë e botës më datë 19 shkurt, duke qëndruar aty edhe për gjashtë javë të tjera.
Për hir të së vërtetës duke patur parasysh kalendarin tepër të lehtë mendohej se në pjesën e sipërme të shortit në Majemi Federer nuk do të kishte aspak probleme për t’u kualifikuar mes tetë më të mirëve të këtij turneu, arritje që me shumë gjasa do ta kishte zgjatur mbretërimin e 36-vjecarit deri në përfundim të Wimbledonit, ku në fakt Roger ka plot 2.000 pikë për të mbrojtur, si kampioni në fuqi.
Roger Federer shpërdoroi shumë me Del Potron në finalen e Majemit, por gjithashtu bëri gabime pa fund edhe ndaj tenistit australian, madje pas fitimit të setit hapës mbreti e nënvlerësoi ndjeshëm kundërshtarin e tij, që gjithsesi pas ndeshjes deklaroi se kjo ishte ndeshja më e mirë në karrierë.
21-vjeçari me origjinë greke që deri në këtë fazë mbërriti nga ndeshjet kualifikuese zhvilloi një takim të shkëlqyer, sidoqoftë Thanasi Kokkinakis pozicionohet i 175-ti në klasifikimin botëror dhe një disfatë e tillë përbën vetëm rastin e dytë në karrierën 18 vjeçare të Roger Federer që tenisti zviceran mundet nga një kundërshtar me një renditje kaq të dobët, për më tepër veterani nga Bazeli kishte që nga viti 2014, që nuk humbte dy ndeshje radhazi, asokohe ishin Stan Wawrinka dhe Jeremy Chardy që e mundnin Federerin njëri pas tjetrit, respektivisht në finalen e Mastersit të Montekarlos dhe takimin e parë në Mastersin e Romës.
Për Kokkinakis ky është vetëm turneu i pestë në shtatë muajt e fundit ku merr pjesë, megjithatë askush nuk ka dyshuar kurrë në talentin e tenistit australian me origjinë helene. Në krahun tjetër pas kësaj humbjeje të rëndë Roger Federer ashtu siç pritej deklaroi tërheqjen nga gjithë turnetë që luhen gjatë kësaj pjese të sezonit në fushat me dhe, e më konkretisht tenisti zviceran do të mungojë në Montecarlo, Barcelonë, Madrid, Romë dhe Paris ku do të zhvillohet si zakonisht turneu i Roland Garros-it.
Pavarësisht eliminimit të dhimbshëm Roger Federer megjithatë pritet të rikthehet shumë shpejt në fron si numri 1 i botës, pasi Rafael Nadal do ta ketë gati gati të pamundur për të mbrojtur afërsisht 4.800 pikët, që tenisti spanjoll fitoi vitin e kaluar në clay court, në po të njëjtën periudhë të vitit.
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...
Rron Broja, “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës
Moscertifikimi i Listës Serbe, Vuçiç: Kurti po përpiqet t’i ...