Qendërmbrojtësi Shkodran Mustafi ka thënë se deri në fund të këtij edicioni, kur edhe i skadon kontrata me Schalken, do të përpiqet maksimalisht për ta ndihmuar ekipin e njohur gjerman që ta siguroj mbetjen në Bundesligë.
Mustafi 28-vjeçar, të hënën, në ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit, iu bashkua Schalkes. Ai te ekipi gjerman u transferua si lojtar i lirë pasi paraprakisht shkëputi kontratën me Arsenalin, gjashtë muaj para kohe.
Mustafi ka zbuluar arsyen e vërtetë që ka pranuar ofertën e Schalkes derisa ka shtuar se ndikim të madh ka pasur Sead Kolashinac, të cilin e kishte bashkëlojtar te Arsenali. Kolashinac në fillim të vitit u huazua te Schalke për një vit nga londinezët.
“Fillimisht ndihem krenar dhe shumë i lumtur që jam pjesë e këtij klubi që ka traditë të madhe në futbollin gjerman. Kur mora vesh për interesimin e Schalkes, menjëherë e kuptova se dua ta pranoj një sfidë të tillë”, ka thënë Mustafi në një intervistë për faqen zyrtare të klubit. “Në fakt Seadi ishte i pari që më telefonoj dhe u mundua të më bind ti bashkohem te Schalke. Jemi miq të mirë dhe sigurisht se ndikimi i tij ka ndihmuar në vendimin tim”.
Mustafi thotë se e ka parasysh gjendjen e Schalkes këtë edicion në kampionat, por me bindje të plotë shton se ekipi edhe edicionin e ardhshëm do të jetë pjesë e Bundesligës. Schalke aktualisht zë vendin e fundit në tabelë me vetëm tetë pikë të tubuara pas 19 xhirove të luajtura. Ish-reprezentuesi i Gjermanisë insiston se është luftëtar dhe se te Schalke do të ketë përgjegjësi si në fushë ashtu edhe jashtë saj.
“Askush në ekip nuk është dorëzuar, përfshirë këtu edhe mua si lojtari më i ri. Të gjithë jemi të fokusuar dhe besojmë se mund t’ia dalim. Gjithashtu ekipi po tregon lojëra të mira në ndeshjet e fundit dhe jam i bindur se do ti tubojmë pikët që na nevojiten deri në fund të sezonit për të konfirmuar qëndrimin në Bundesligë”, insistoi Mustafi.
“Në fushë mund të them se jam i fortë në duele dhe kam një mentalitet të fortë. E urrej shumë humbjen dhe gjithmonë jap gjithçka nga vetja për ta ndihmuar ekipin të fitoj. Kështu që te Schalke është e natyrshme se do të kem një përgjegjësi të tillë, jo vetëm në fushë por edhe jashtë saj. Me një fjalë jam luftëtar që nuk dorëzohet kurrë dhe kërkon vetëm fitore”.
Mustafi ka pranuar se është i lumtur që gjithashtu do të ketë mundësinë të luajë në Bundesligë pas aventurave që kishte në Premier League, La Liga e Serie A. Ai para Schalkes e Arsenalit, karrierë ka bërë edhe te Valencia e Sampdoria.
“Një prej synimeve të mia ishte që një ditë të luaj në Bundesligë për shkak se mendoj që është një prej ligave më të forta në botë. Me padurim pres debutimin në këtë ligë”, tha Mustafi, i cili nuk dihet nëse do të luajë në ndeshjen e vikendit që Schalke e zhvillon në shtëpi kundër Leipzigut.
“Mund të them se e njoh ekipin për shkak se kam përcjellë ndeshjet e Schalkes prej transferimit të Seadit këtu. Kështu që besoj që kemi një ekip kompakt për pjesën e mbetur të sezonit”.
Në fund Mustafi pranoi se suksesi më i madh në karrierën e tij si futbollist profesionist është titulli i botës me Gjermaninë në vitin 2014. Mirëpo ai nuk jeton me të shkuarën dhe fokusi tash e tutje mbetet Schalke.
“Sigurisht titulli i botës mbetet suksesi më i madh në karrierën time. Por, tani jam i përqendruar te Schalke dhe dua ta ndihmoj ekipin të siguroj mbetjen në Bundesligë. Jam i gatshëm për këtë sfidë të cilën besoj se do ta fitoj”.
Qendërmbrojtësi këtë edicion ka regjistruar vetëm nëntë paraqitje me fanellën e Arsenalit në të gjitha garat.
Vetaksident në magjistralen Pejë-Prishtinë, vdes një person
Zëvendëskryeministri italian vjen në Kosovë, viziton KFOR-in...
Përfundon “Kursi i Nënoficerëve të Betejës” për ushtarët e F...
Policia e Shtetit: Do të garantojmë protestën e PD-së në Tir...
Hamza: Pagesa e TVSh-së për biznese do të bëhet pas shitjes ...
Abdixhiku: LDK-ja, e djathta dhe rugovizmi të bëhen bashkë d...