Google ADS

Mungojnë 10 lojtarë në ndeshjen e Kosovës kundër Greqisë

11:00 | 4 Shtator 2020
Arbresh.info

Kombëtarja e Kosovës nuk ka arritur të marrë më shumë se një barazim përballë Moldavisë në ‘Ennio Tardini’ të Parmës.

‘Dardanët’ barazuan 1:1 ndaj Moldavisë, në një ndeshje që solli diçka tjetër në fushë, nga ajo që parashihej në letër, shkruan lajmi.net.

Mungesat, vonesat e lojtarëve në grumbullim te Kombëtarja, seancat e pakta stërvitore, kanë bërë që Bernard Challandes të mos mund të marrë më të mirën nga ekipi i tij.

Grumbullimi i shtatorit po paraqet probleme të mëdha te Kosova, që tashmë nuk do të mund të llogarisë në shumë lojtarë për ndeshjen e dytë kundër Greqisë.

Lojtarë si Milot Rashica, Hekuran Kryeziu, Benjamin Kololli, Leart Paqarada, Elbasan Rashani dhe Herolind Shala, nuk janë lejuar nga klubet e tyre të paraqiten në ndeshjen e dytë ndaj Greqisë në ‘Fadil Vokrri’, që luhet ditën e diel. Ky grup i lojtarëve, do të rikthehen te ekipet e tyre.

Në pjesën tjetër, janë disa lojtarë që nuk janë lejuar fare të grumbullohen, si Florent Muslija, Idriz Voca, Lirim Kastrati dhe Florian Loshaj.

Vedat Muriqi nuk është grumbulluar shkaku i lëndimit, por pritet të jetë i gatshëm për ndeshjet e tetorit.

Andaj, me t’u rikthyer në Kosovë, Bernard Challandes i duhet të përpilojë një listë të re, me lojtarët që ka në dispozicion, për ta përgatitur sa më mirë ndeshjen e dytë, përkundër gjithë këtyre vështirësive.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme