Google ADS

Milner, lojtari i 11-të që e fiton Premierligën me dy klube

11:06 | 24 Korrik 2020
A. B.

Mesfushori i Liverpoolit, James Milner, është bërë futbollisti i 11-të i cili ka arritur ta fitojë trofeun e Premierligës me dy klube të ndryshme gjatë karrierës së tij.

Anglezi James Milner ishte pjesë e skuadrës së Liverpoolit që e dominoi Premierligën këtë sezon dhe që në mesjavë e ngriti trofeun e kampionit të Anglisë, për herë të parë që 30 vjet.

Por, përderisa Liverpooli s’e kishte fituar këtë titull që 30 vjet, ky ishte trofeu i tretë i Premierligës për Milnerin, pas dy triumfeve të tij me Manchester Cityn në sezonet 2011/12 dhe 2013/14.

Para se edhe Milner të bëhej pjesë e listës së lojtarëve që e kanë fituar trofeun e Premierligës me dy klube të ndryshme gjatë karrierës, Riyad Mahrez e kishte bërë të njëjtën gjë, pasi që e kishte fituar këtë trofe me Leicester Cityn gjatë sezonit 2015/16 dhe pastaj me Manchester Cityn.

N’Golo Kante dhe Robert Huth janë gjithashtu pjesë e kësaj liste të lojtarëve që e kishin fituar titullin me Leicesterin, ndërsa të dy e fituan Premierligën edhe me Chelsean, përkundër që s’e arritën këtë bashkë në të njëjtën kohë.

E njëjta mund të thuhet edhe për Mark Schwarzer, i cili fitoi titull si portier me Chelsean dhe Leicester Cityn. Megjithatë, ai s’mori medalje pasi që nuk luajti në asnjë ndeshje të dy ekipeve.

Kolo Toure dhe Gael Clichy ishin të dy pjesë e skuadrës së Arsenalit që e fitoi titullin në sezonin 2003/04 dhe më vonë i ndihmuan Manchester Cityt ta festojë titullin e parë të ligës në 44 vjet. Ndërsa, Carlos Tevez fitoi titull me të dyja klubet e Mançesterit, pas transferimit të tij kontrovers nga Unitedi në City në vitin 2009.

Nicholas Anelka dhe Ashley Cole kanë medalje të fituara për sukseset e tyre me Arsenalin dhe Chelsean, ndërsa futbollisti i parë që e kishte fituar trofeun e Premierligës me dy klube është Henning Berg. /Gazeta Express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme