Miliarderi turk konfirmon bisedimet për blerjen e Chelsea-s

20:40 | 4 Mars 2022
Lorik Gerbeshi

Muhsin Bayrak ka konfirmuar se është në bisedime me avokatët e Roman Abramovich për blerjen e “Chelsea FC”, pasi klubi u nxor në shitje në fillim të kësaj jave.

Abramovich tronditi futbollin evropian të mërkurën kur njoftoi se ka vënë shitje klubin londinez, pas gati dy dekadash si pronar, shkruan Gazeta Express.

Pas vendimit të Abramovichit, menjëherë kanë filluar interesimet për blerjen e klubit londinez. Së fundmi këtë e ka bërë të ditur edhe një miliarder nga Turqia.

“Ne jemi duke negociuar kushtet e blerjes së Chelseas me avokatët e Roman Abramovichit,” tha biznesmeni turk, familja e të cilit është një nga më të rëndësishmet në Turqi, për gazetën “Yeni Safak”.

“Jemi në fazën e negociatave për nënshkrimet. Së shpejti do të valëvitim flamurin turk në Londër. Ne bëmë ofertën tonë. Për shkak të luftës me Rusinë dhe Ukrainën në botë. Për shkak se e gjejnë Turqinë të sigurt, ata duan të marrin pjesën më të madhe të parave pas shitjes në Turqi. Ne po planifikojmë të nënshkruajmë së shpejti”, deklaroi Bayrak.

Muhsin Bayrak është lider i fisit Mutki të Bitlisit, një nga familjet më të mëdha në Turqi, si dhe kryetar i Bordit të “AB Group Holding”, që ka investime në sektorët e kriptos, ndërtimit, turizmit dhe energjisë.

“AB Group”, i themeluar nga Bayrak më 1999, është i bazuar kryesisht në Stamboll, por gjithashtu operon edhe në Itali, Greqi e Spanjë. Kompania, me vlerë 11 miliardë dollarë thuhet gjithashtu se ka investime edhe në Londër.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme