Milani ka gjetur zëvendësuesin ideal të Theo Hernandez

07:23 | 14 Tetor 2024
E.G

Milani raportohet se po e ndjek mbrojtësin e majtë Maxim De Cuyper i cili aktivizohet në radhët e Club Brugges dhe që shënoi për Belgjikën ndaj Italisë në Ligën e Kombeve si zëvendësues i Theo Hernandez.

Situata përreth Theo Hernandez në ‘San Siro’ është tejet e brishtë dhe ndonëse ishte njëri prej lojtarëve që mbajti shiritin e kapitenit këtë sezon, ai është parë disa herë duke injoruar urdhrat e trajnerit Paulo Fonseca.

Kjo ndodhi edhe javën e kaluar kur ai mori iniciativën për të ekzekutuar një penallti ndaj Fiorentinës e cila u prit nga David De Gea dhe më pas u ndëshkua me karton të kuq duke marrë një dënim prej dy ndeshjesh në Serie A.

Agjenti i tij gjithashtu konfirmoi se negociatat për rinovimin e kontratës janë në një bllokadë totale ani pse ajo skadon në qershor të vitit 2026.

Sipas Calciomercato dhe Tuttosport, drejtori i Milanit, Geoffrey Moncada, ishte i pranishëm në tribunat e ‘Stadio Olimpico’ për ndeshjen Itali-Belgjikë për ta ndjekur De Cuyper.

Ai pati një raport shumë të mirë për të pasi 23-vjeçari e gjeti rrugën e rrjetës në atë ndeshje që përfundoi me rezultat të barabartë 2-2.

Sipas raportimeve do të duhej që ‘Rossonerët’ të paguajnë të paktën 20 milionë euro për të siguruar shërbimet e tij, ndërsa kujtojmë se sezonin e kaluar ai shënoi pesë gola dhe dhuroi 15 asistime në 55 ndeshje zyrtare./Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme