Milani fiton dhe shpallet kampion i Italisë

20:03 | 22 Maj 2022
Lorik Gerbeshi

Milani ka shënuar fitore ndaj Sassuolos me rezultat 3-0 në kuadër të xhiros së fundit në Serie A, duke u shpallur kampion i Italisë.

Kuqezinjtë e nisën ndeshjen në sulm, duke e ditur që nuk duhet ta humbitnin këtë lojë.

Olivier Giroud dhe Rafael Leao rrezikuan që në start, por në të dyja rastet Andrea Consigli ishte në vend.

Por nuk vonoi shumë dhe erdhi edhe goli. Leao asistoi te Giroud i cili gjeti rrjetën për 1-0.

Milani nuk u ndal me sulme dhe Sandro Tonali ka mundur ta shtojë epërsinë në minutën e 23-të, por në të dy rastet portieri Consigli ishte në vend.

Goli i dytë erdhi në minutën e 32-të, kur sërish dyshja Leao-Giroud ishte në aksion. Francezi shënoi golin e dytë personal për rezultatin 2-0.

Vetëm pas tre minutash u mbyll dilema e fituesit dhe asaj të kampionit të Italisë për sezonin 2021/22.

Leao dhuroi asistimin e tretë në këtë ndeshje, ku në vendin e duhur ishte Franck Kessie që shënoi për 3-0.

Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë.

Në të dytën Milani administroi rezultatin që kishte, duke mos rrezikuar shumë drejt portës së Sassuolos.

Në minutën e 78-të, Zlatan ibrahimovic arriti të shënojë gol, por që u anulua për pozitë jashtë-loje.

Deri në fund nuk kishte gola, ndërsa pas fishkëllimës së gjyqtarit filloi festa kuqezi.

Milani shpallet kampioni i Italisë me 86 pikë, dy më shumë se sa Interi që mbetet i dyti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme