Mike Tysonit i ofrohet rimeç nga boksieri i fundit që e nokautoi

12:36 | 7 Maj 2020
A. B.

Kthimi i shumëpërfolur i Mike Tysonit në ringun e boks mund të jetë kundër boksierit të fundit që kishte nokautuar atë, 14 vjet pas meçit të parë mes tyre. Kjo pasi që Danny Williams ka thënë se ata kanë qenë në bisedime për një rimeç.

Ish-kampioni botëror i peshave të rënda në boks, Mike Tyson, i ka emocionuar tifozët e këtij sporti gjatë javës së fundit me deklaratën e tij se dëshiron të kthehet në ring për të luftuar në një meç bamirës, transmeton Gazeta Express.

Ai e publikoi edhe një video nga një stërvitje e tij, që i kishte nxitur tifozët ta lavdërojnë atë për formën e tij, përkundër që ka kohë që është pensionuar nga karriera si boksier.

Tani, britaniku Danny Williams ka pretenduar se ai është në bisedime me Tysonin për një rimeç, pasi e kishte nokautuar legjendën e boksit në meçin e parë mes tyre në vitin 2004.

“Unë mund ta konfirmoj se disa agjentë të mi ma kanë vendosur emrin për të luftuar kundër Mike Tysonit”, ka thënë Williams, në një intervistë të dhënë për World Boxing News.

“Ne jemi ende duke e pritur një përgjigje, por unë e dua këtë meç, e them këtë pa asnjë dyshim”.

“Jam shumë i interesuar në një përballje tjetër me Mike Tysonin”.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme