Michael Jordan paguhej 3.5 milionë dollarë, por cili lojtar jugosllav merrte më shumë se ai, më 1991?

13:52 | 2 Gusht 2024
A B

Sigurisht që e njihni Michael Jordanin. Ose, të paktën, keni dëgjuar për të.

Nëse nuk e njihni, e as nuk keni dëgjuar për të, atëherë mësoni nga ky tekst se ai llogaritet të jetë basketbollisti më i mirë në histori të NBA-së. I ka gjashtë tituj të kësaj lige me “Chicago Bulls”, të fituara në vitet 90 të shekullit të kaluar. Triumfet personale i ka të panumërta.

Por, është shumë e mundshme që të mos e njihni Toni Kukoçin! As të mos keni dëgjuar për të!

Ky lojtar kroat i ekipit “Jugoplastika”, që në fund të viteve ‘80 dhe në fillimet e hershme të të ’90-ve është aktivizuar për përfaqësuesen e Jugosllavisë, ka qenë ndër më të mirët në botë, në basketbollin amator, ku nuk bënte a as nuk bën pjesë ende NBA.

Më 1990 është shpallur MVP i Kampionatit Botëror, e më 1991 i atij Evropian. Me “Jugoplastikën” i ka fituar tre tituj të Euroligës, radhazi.

Duke qenë kështu, Kukoç ka qenë shumë i kërkuar nga ekipet jashtë Kroacisë e Jugosllavisë. Më 1991, ai ka nënshkruar një kontratë me italianët e “Benetton Trevisos”. Paga e tij ka qenë astronomike, për atë kohë, sipas raportimeve të mediave.

Kukoç fitonte 4 milionë dollarë në sezon. Meqë kontrata ishte për 6 vjet, ai parashihej t’i merrte 24 milionë gjatë kësaj periudhe.

Kjo pagë ishte më e lartë se e Jordanit, që luante në NBA. Lojtari i “Chicagos”, në sezonin 1991/92 paguhej 3.5 milionë dollarë, pra, 500 mijë më pak se Kukoç.

Kroati luajti vetëm dy vjet në Itali. Më 1993 iu bashkua Jordanit, në “Chicago”. Bashkë i fituan tre tituj radhazi në NBA në vitet ’96, ’97 dhe ’98. /Klankosova/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme