Google ADS

Mes vuajtjes dhe fatit kjo ishte rruga e Anglisë drejt Berlinit

11:58 | 14 Korrik 2024
D.H

Sonte luhet finalja e madhe e Kampionatin Evropian “Gjermania 2024” ndërmjet Spanjës dhe Anglisë.

‘Tre Luanët’ me shumë mund e djersë arritën në finalen e madhe të Berlinit, shkruan Arbresh.info.

Ani pse ishin super favoritë në grupin C ku ndodheshin së bashku me Danimarkën, Slloveninë dhe Serbinë.

Kombëtarja e udhëhequr nga Gareth Southgate arriti vetëm pesë pikë në këtë grup por të mjaftueshme për të dal liderë i grupit.

Anglia e nisi Evropianin me një fitore 1-0 ndaj Serbisë, pastaj barazoi 1-1 ndaj Danimarkës dhe një barazim tjetër por pa gola e arriti ndaj Sllovenisë në ndeshjen e fundit.

Me dy gola të shënuar dhe vetëm një të pësuar pas tri ndeshjeve të fazës së grupit.

Anglezët në 1/8 e finales u shortuan me Sllovakinë, ku e panë vetën buzë eliminimit por një gol i Bellinghamit në frymën e fundit i mbajti gjallë shpresat e ‘Tre Luanëve’.

Ndeshja u fitua në vazhdime me rezultat 2-1 dhe në çerekfinale Anglia do të përballej me Zvicrën.

Një sfidë tjetër që anglezët do të fitonin pas kohës shtesë, por kësaj radhe në penallti e jo në vazhdime ashtu siç bënë ndaj Sllovakisë.

Pas 120 minutave kjo ndeshje ishte 1-1, kurse në penallti Anglia do të fitonte 5-3.

Gjysmëfinalja ishte një ndeshje me fytyrë krejt tjetër nga të drejtuarit e Southgate, ndaj Holandës ata zhvilluan ndeshjen më të mirë të këtij Evropiani deri në atë pikë por sërish fati ishte me ta kur në minutën e 91-të realizuan golin i cili do t’i dërgonte në Berlin për finalen e madhe.

Një ndeshje e fituar në kohën shtesë me rezultat 2-1 dhe goli i fitores erdhi nga një zëvendësues, Ollie Watkins ishte heroi i Anglisë.

Në këto tri ndeshje anglezët ishin në disavantazh gjithmonë të parët por gjetën forcën u rikthyen dhe tanimë janë në finalen e Berlinit.

Në finale do të kenë një kundërshtar si Spanja, kombëtare kjo që ka luajtur ndeshjet me ritëm të lartë në këtë Evropian dhe padyshim pritet të jetë një finale e zjarrtë.

Kujtojmë se Anglia do të jetë për herë të dytë me radhë në finale të Kampionatit Evropian, pasi tri vite më parë në Euro 2020 ndodheshin në po të njëjtën fazë por u mposhtën nga Italia në penallti.

Ndeshja finale mes Spanjës dhe Anglisë fillon nga ora 21:00./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme