Memushaj: Jemi mirë, por vëllai im mund të ketë koronavirus

21:11 | 1 Prill 2020
A. B.

Epidemia koronavirus e ka pushtuar botën dhe e ka frenuar çdo aktivitet, përfshirë futbollin, duke bllokuar lojtarët në izolim dhe disa në karantinë. Mes lojtarëve që luajnë jashtë ka edhe shumë shqiptarë dhe sidomos në Itali, aty ku edhe ka shpërthyer gjithçka, kur koronavirusi erdhi nga vatra kineze.

Ledian Memushaj, mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë luan për Pescaran, në Itali, vendin më të goditur në botë nga Covid-19.

Ai ka folur për këtë pandemi dhe jetën në këtë vend gjatë kësaj krize.

“Po bëjmë gati një muaj që jemi mbyllur në shtëpi dhe është gjë e vështirë. Nuk rrihet në shtëpi. Sa hap televizorin dhe sheh lajmet dëgjon vetëm për njerëz dhe të vdekur dhe të infektuar, prandaj bëhen akoma më të vështira këto ditë”.

“Çdo ditë këtu ngjan sikur do të jetë pak më mirë, por është akoma më keq gjendja. Tani sikur po përmirësohet pak sepse po ulet numri njerëzve që shkojnë në spitale. Por besoj se do zgjasë akoma si situatë, besoj se akoma një muaj do zgjasë.

“Ne jemi të gjithë mirë. Kam vëllain, i cili ka 10 ditë me simptoma, por nuk ka bërë tamponin dhe ata nuk ta bëjnë po nuk pate disa efekte të tjera”.

Sa i përket dëshirës për të ardhur në Shqipëri dhe mbyllur karrierën, Memushaj tha me batutë se “do të kisha dëshirë ta mbyllja karrierën në Vlorë. E vetmja gjë është, nëse më lë akoma trupi se kur arrin në një moshë të caktuar fillojnë edhe problemet”./Telesport/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme