Megjithatë, Hysaj mund të qëndrojë te Napoli

23:03 | 25 Qershor 2020
A. B.

Agjenti i Elseid Hysajt ka thënë se megjithatë futbollisti shqiptar mund të mbetet te Napoli, pasi është rikthyer në formë nën drejtimin e Gennaro Gattusos.

Mbrojtësi i djathtë nuk ishte i preferuari i Carlo Ancelottit, mirëpo situata ka ndryshuar me trajnerin e ri dhe ai i ndihmoi Partenopei që ta fitonin Kupën e Italisë.

“Asnjëherë nuk kam pasur probleme me De Laurentiis (presidentin e Napolit)”, ka thënë agjenti Mario Giuffredi për Radio Punto Nuovo.

“Kur Hysaj u transferua te Napoli përfitonte 500.000 euro, mirëpo nuk ishte kontrata që unë e kishta negociuar. Gjatë sezonit (të parë), unë u bëra agjent i tij, ndërsa presidenti u soll si xhentëlmen duke i dhënë kontratë të re dhe duke e vlerësuar cilësinë e tij”.

“Nuk duhet të harrojmë se Hysaj ishte një prej mbrojtësve më të mirë të krahut në Itali nën drejtimin e Sarrit, duke lënë anash periudhën nën Ancelottin”.

“Tash me Gattuso, po e shohim të njëjtin Hysaj nga koha e Sarrit, kur morëm ofertë nga Bayern Munichu… Gattuso dhe De Laurentiis duan ta mbajnë. Kemi folur për rinovim, por nuk është çështje parash: varet nëse i dëshiron të qëndrojë apo jo”, ka deklaruar agjenti i shqiptarit. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme