Google ADS

Mediumi argjentinas shkruan për arritjet historike të Vokrrit dhe Kosovës

13:19 | 10 Mars 2020
Arbresh Info

Mediumi argjentinas Enchange e ka publikuar një artikull lidhur me historinë e futbollit kosovar dhe legjendës tashmë të ndjerë, Fadil Vokrrit.

Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, ende jehonin tmerret e luftës që shpërtheu në fund të viteve të 90-ta – mes Serbisë e Malit të Zi dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – kur Kosova e shpalli pavarësinë në vitin 2008, shkruan Enchange.

Një ditë më herët, më 16 shkurt, Fadil Vokrri ishte emëruar president i Federatës së Futbollit të Kosovës. Vokrri ishte idhulli i gjeneratës së artë. Gjatë viteve të 80-ta, ai luajti për KF Prishtina e pastaj u transferua te klubi serb Partizan e disa ekipe të ndryshme nëpër Evropë. Ai ishte madje kosovari i vetëm që e përfaqësoi, tani të zhdukurën, Kombëtaren e Jugosllavisë. Megjithatë, trashëgimia e tij e kalon atë që ai e bëri gjatë karrierës si futbollist.

Shumica e vendeve që e njohin pavarësinë e Kosovës e bënë këtë gjë brenda atij viti ose brenda vitit 2009. Në anën tjetër, shumë të tjera vendosën të mos e njohin pavarësinë e Kosovës për të mos i rrezikuar marrrëdhëniet me Serbinë, Ursinë dhe Kinë – vendet që e kundërshtojnë ende më së shumti pavarësinë e Kosovës.  Kjo situatë e tensionuar shkakton ende probleme të mëdha, si për shembull në anëtarsimin e organizatave të mëdha që janë të rëndësishme për funksionalizimin e një vendi.

Por, në nivel futbolli, në fillim FIFA ia refuzoi Kosovës kërkesën për anëtarësim, nën presionin e vendeve të lartpërmendura dhe Spanjës. Kosova ishte edhe e ndalur të zhvillonte ndeshje miqësore me ekipet kombëtare që veçse ishin pjesë e FIFA-s.

Në këtë situatë, Vokrri u desh të përdorte metoda alternative për ta bërë këtë problem të dukshëm. Falë figurës së tij, diplomacia u bë mjet në futboll për ta arritur atë që s’e kishte arritur politika.  Dhe nëse ishte dikush që mund ta bënte këtë, ishte pikërisht ai. Rruga drejt anëtarësimit ishte e vështirë dhe fillimisht u nënshkrua një letër nga lojtari se Xherdan Shaqiri, Valon Behrami e Franit Xhaka për t’ia lejuar Kosovën të zhvillonte të paktën ndeshje miqësore. Për t’i marrë ato nënshkrime, Vokrri ishte dashur të hynte fshehurazi në dhomat e tyre të hotelit gjatë grumbullimeve, për të mos ngjallur dyshime.

Më në fund, pas shumë muajve negociata, Kosovës iu lejua në vitin 2013 të të zhvillonte ndeshje miqësore, për aq kohë sa nuk do të intonohej himni i Kosovës dhe s’do të shfaqeshin simbole shtetërore. Por, simbolet s’ishin të nevojshëm, gjithçka thuhej përmes ekipit kombëtar. Kosova e luajti ndeshjen e parë miqësore në vitin 2014 në Mitrovicë, ku barazoi pa gola me Haitin. Rezultati ishte anedoktal, kuptimi ishte shumë më i thellë.

Në maj të vitit 2016, UEFA, me votë të fshehtë, e pranoi Kosovën si anëtare dhe vetëm pak kohë më vonë Kosova u anëtarësua edhe në FIFA. Përderisa Serbia bërtiste në kundërshtim, bisedimet në Bruksel mes dy vendeve e lehtësuan situatën.

Megjithatë, Vokrri e dinte se puna e tij nuk kishte marrë fund. Për të s’ishte e rëndësishme vetëm pjesëmarrja në gara zytare, por edhe sigurimi i talenteve që ai e dinte se ishin të shpërndarë nëpër Evropë e kishin prejardhje nga Kosova, por ishin detyruar të emigronin për shkak të luftës.

Në një ndeshje miqësore mes Zvicrës dhe Shqipërisë, gjatë kohës sa Kosova ende s’ishte në FIFA, Vokrri kishte thënë se po e shikonte Kosovën A kundër Kosovës B për shkak të numrit të madh të lojtarëve nga Kosova që luanin në këto dy Kombëtare.

Pas një periudhë të vështirë, Kosova, nën drejtimin e Bernard HCallandes, arriti rezultate fillimisht befasuese. Kosova shkoi shumë afër kualifikimit në EURO përmes Grupit A, por përkundër që s’arriti ta realizojë këtë sezon, Dardanët e fituan epitetin e të qenët një mrekulli në botën e futbollit.

Sot, ekipi kombëtar është krenaria më e madhe e njerëzve të Kosovës dhe kjo është, në pjesën më të madhe, falë punës së durueshme dhe të kujdesshme të Fadil Vokrrit.

Por, fatkeqësisht, Vokrri s’arriti ta çonte deri në fund detyrën për ta përmirësuar nivelin në futbollin vendor. Kjo pasi që ai vdiq papritmas në korrik të vitit 2018. Jo shumë kohë më vonë, stadiumi kombëtar e mori emrin e tij. Por, të paktën ai arriti t’i shohë rezultatet e punës së tij: një vend i lirë dhe një ekip kombëtar i njohur nga bota, i formuar me lojtarë kosovarë që luajnë përkrah kombeve të mëdha të Evropës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme