Google ADS

“Me vendosmërinë drejt qëllimit tim, as sfidat nuk më ndalin”/ Intervistë me kampionin botëror në bodybuilding, Betim Krasniqi

10:00 | 5 Tetor 2024
K.B

Betim Krasniqi, zë vendin e pestë në Kampionatin Botëror në Bodybuilding, i cili u mbajt në Ishujt Kish të Iranit në pjesëmarrjen e 205 shteteve.

Krasniqi, kishte filluar të merrej me sportin e Bodybuilding-ut që nga viti 2008, që kur ishte 18 vjeçar, këtë garë e cilëson si një nga garat më të vështira përgjatë karrierës së tij.

“Kjo cilësohet si njëra ndër garat më të vështira që unë kam pasur përgjatë karrierës time 14 vjeçare”, thotë ai.

Si nisi karriera e tij dhe çka e shtyu Betimin të merrej me këtë sport, sfidat përgjatë rrugëtimit të tij, Betimi Krasniqi i tregon për portalin Arbresh.info.

“Përveç dëshirës që të dukemi bukur në pamjen fizike, ajo që më ka shty më tepër që të merrem me këtë sport ka qenë disiplina dhe përpikëria që e ka ky sport, sepse për të hyrë thellësisht brenda sportit të Bodybuilding-ut duhet t’kesh përpikëri të madhe, e gjithashtu ky sport ka rregull dhe disiplinë të lartë dhe mendoj që jo çdo kush ka karakter të fortë në aspektin e durimit për t’i hyrë këtij rrugëtimi” thekson Krasniqi.

Ai pohon se ky sport do durim të madh për të arritur aty ku është qëllimi kryesorë.

“Kur them duhet të kesh durim, do të thotë që duhet me pas parasysh që ti ki me u privu prej gjërave të ndryshme ushqimore të cilat mundesh me i pas favorit por që e ke të ndaluar të konsumosh, pastaj edhe jeta e natës duhet me u anashkalu, kur them me u anashkalu e kam fjalën që duhet të fokusohesh sa më shumë në ushtrime, ushqim dhe gjumë pasi që këto janë elementet kryesore që e përkufizojnë këtë sport, dhe normal pastaj që edhe rezultati nuk do të mungojë” shprehet bodybuilderi.

Pavarësisht se Krasniqi ka zënë vendin e pestë në Kampionatin Botëror në Bodybuilding, kjo nuk mjafton për të.

“Unë jam duke punuar shumë drejt këtij rrugëtimi. Pra, qëllimi im kryesor është vendi i parë në botë, por që asnjëherë nuk jam ndalur dhe nuk do të ndalem e të them se është bërë mjaft. Jo, për mua ende ka punë që të arrijë tek qëllimi im kryesorë”, pohon ai.
Duke ditur se bodybuildingu është një sport shumë i kushtueshëm, Krasniqi na tregon nëse marrin mbështetje nga shteti.

 

“Mbështetjen nga shteti e kemi, por bodybuildingu është një sport shumë i kushtueshëm dhe normalisht që nga mbështetja financiare gjithmonë ekziston mundësia për më mirë. Unë deri më tani në të gjithë garat që jam përgatitur e kam bërë me vetëfinancim” , tregon ai për Arbresh.info, duke shtuar se mbështetja nga shteti dhe mediat janë gjithmonë të mirëseardhura.

“Shpresojë që mbështetja nga shteti dhe interesimi nga mediat për të promovuar dhe mbështetur sportistët që përfaqësojnë shtetin tonë të rritet edhe më shumë sepse ne sportistët jemi ambasadorët më të mirë drejt njohjes së shtetit”, thotë Krasniqi.

Megjithatë, sfidat e shumta nuk e zmbrapsën atë dhe ëndrrën e tij për të arritur shumë më shumë në këtë sport.

“Sfidat në të cilat kam kaluar kanë qenë të shumta dhe të ndryshme. Dua të them që secila garë i ka sfidat e veta. Me vendosmërinë që e kam drejt qëllimit tim, as sfidat nuk më ndalin, munden me ma vështirësuar situatën, por jo të ma humbin vullnetin dhe motivin drejt asaj çka mua më karakterizon dhe plotëson si Betim”, përfundon ai.

Krasniqi ka marrë pjesë në shtete të ndryshme të botës, disa prej të cilave nuk e kanë njohur ende shtetin e Kosovës, duke e përfaqësuar në mënyrën më të mirë të mundshme./Arbresh.info/Qëndresa Luma/

 

Të ngjashme