Më i miri në botë, Lewandowski shpall Bayernin kampion vjeshtor

13:23 | 20 Dhjetor 2020
Arbresh.info

Bayerni i Mynihut mposht “in extremis” 1-2 skuadrën më në formë të momentit në Bundesligë, Bayer Leverkusenin, me të cilën bën rokadë në krye të renditjes. Sigurisht kur në përbërje ke fituesin e çmimit “Lojtari më i mirë i FIFA-s”, gjithçka është e mundur. Robert Lewandowski rezultoi kyç i bavarezëve, pasi shënoi të dy golat e ekipit të drejtuar nga Hansi Flick, të dytin, atë të fitores, në minutën e 3-të shtesë.

Në fakt, “Aspirinat” e nisën shumë mirë këtë del për kreun, teksa në minutën e 16-të zhbllokoi sfidën Patrik Schick, ndërsa në të 29-ën vendasve iu anulua një gol për pozicion jashtë loje.

Bayerni sigurisht nuk mund të pajtohej me këtë rezultat dhe pas shumë përpjekjesh mundi të barazonte me Lewandowskin në minutën e 43-të, me sulmuesin polak që shtyu me kokë topin drejt rrjetës nga një distancë e afërt.

Kur gjithçka u duk se do të përfundonte në barazim 1-1, ridoli në skenë sulmuesi më i mirë i vitit, pikërisht Lewandowski, që në shtesë i shërbyer nga Kimmich, realizoi golin e fitores për bavarezët.

Më herët, Leipzigu nuk mundi të shkonte më shumë se barazimi pa gola përballë Kolnit. Në takimet e kësaj të shtune u arritën këto rezultate:

Augsburg – Eintracht Frankfurt 0-2

Monchengladbach – Hoffenheim 1-2

Mainz – Werder Bremen 0-1

RB Leipzig – FC Koln 0-0

Schalke – Arminia Bielefeld 0-1

Bayer Leverkusen – Bayern Munich 1-2

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme