Xhudoja kosovare e nisi me sukses rrugëtimin drejt olimpiadës së ardhshme. Akil Gjakova e fitoi medaljen e artë në “Grand Prix” të Zagrebit, derisa pikë për normë olimpike fitoi edhe motra e tij Nora.
Driton Kuka thotë se kjo ishte një nismë e mbarë për garuesit e tij. Trajneri i suksesshëm në nivel botëror beson se në “Tokyo 2020” Kosova do të paraqitet me 4-5 garues. Majlinda, Nora, Distria, Akili dhe Loriana konsiderohen me potencial për të shkelur në tokën japoneze pas dy vjetësh. E gjithsesi, Kuka synon që Kosovës t’i sjellë medalje tjera olimpike me garuesit e tij
Shpresat e sportit kosovar gjithmonë janë të fokusuara te xhudoja, shkruan sot gazeta Zëri.
Sporti numër 1 në Kosovë sa i përket suksesit ndërkombëtar fundjavën që shkoi e nisi aventurën drejt sigurimit të pjesëmarrjes në Olimpiadën e Tokyos.
Akil Gjakova e fitoi medaljen e artë në “Grand Prix”, derisa pikë olimpike fitoi edhe motra e tij Nora, edhe pse dështoi të fitonte medalje, kurse Distria Krasniqi u ndal më herët.
Trajneri Driton Kuka e konsideron si të suksesshme nismën e garuesve të tij drejt prerjes së biletës për “Tokyo 2020”, që do të mbahet pas dy vjetësh.
“Gara e parë, edhe pse nuk morëm pjesë me të gjithë garuesit që pretendojnë normën olimpike, ishte nismë e mirë, e sidomos paraqitja e Akilit, i cili shkëlqeu duke e mposhtur elitën e xhudos botërore dhe mori 700 pikët e para olimpike”, theksoi Kuka fillimisht për “Zërin”.
“Nora u paraqit mirë. Ajo u ndal nga kampionia olimpike në vazhdime, derisa shënoi tri fitore, ndërsa për të bronztën humbi nga japonezja dhe ajo në vazhdimësi po tregon formë të mirë. Distria startoi në 48 kilogramë, siç kemi dashur. Realisht, ajo ka potencial, por humbja e shpejtë e peshës ndikoi në performancën e saj. Humbi në luftën e dytë, por me rëndësi është që të qëndrojë në këtë kategori dhe besoj se do të stabilizohet”, shton trajneri pejan.
Në “Tokyo 2020”, me 4-5 garues
Numri i xhudistëve pjesëmarrës në “Olimpiadën 2020” pritet të rritet, në krahasim me atë të 2016-s.
Kuka beson se në Japoni do t’i shohim 4 ose 5 garues të tij.
“Sa i përket normës, realisht është të fitojnë normë, Distria (48 kilogramë), Majlinda (52), Nora (57), Akili (73) e gjasa të mira ka edhe Loriana, pra 4-5 norma janë që pritet”, tregon Kuka.
Synim, medalja olimpike
Kosova e shijoi medaljen e parë olimpike në “Rio 2016” dhe atë falë sportit të xhudos, respektivisht sportistes më të madhe që e ka Kosova sot, Majlinda Kelmendi.
Megjithatë, apetitet e xhudos tashmë janë rritur dhe garuesit e këtij sporti synojnë t’ia zbardhin fytyrën Kosovës në Japoni.
Xhudoja synon që së paku ta fitojë një medalje në olimpiadën e ardhshme, pa marrë parasysh ngjyrën që do ta ketë ajo.
“Po patjetër, edhe në Tokyo synojmë medalje. Fillimisht synojmë të kualifikohemi në olimpiadën e ardhshme e pastaj të shohim. Bile, për Majlindën atë qëllim e kemi. Që të jetë atje në formën e saj dhe të fitojë medalje. Garuesit tjerë kanë edhe synime tjera”, përfundoi Kuka.
Akil Gjakova po shfaq formë të jashtëzakonshme sivjet dhe po shkon me hapa të sigurt drejt “Olimpiadës 2020”.
Gjithashtu edhe Nora Gjakova, edhe Distria Krasniqi kanë treguar formë të mirë vitin e kaluar dhe këtë vit, edhe pse kjo e dyta e ka ndërruar kategorinë së fundmi dhe i nevojitet kohë për t’u adaptuar.
“Disi” kishte mbetur pa pjesëmarrje në “Olimpiadën 2016” për shkak se garonte në të njëjtën kategori me Majlindën dhe dy garuese nga i njëjti shtet, në të njëjtën kategori, nuk lejohen të marrin pjesë në Olimpiadë.
E formë të mirë po tregon edhe Loriana Kuka, e cila e la Zvicrën për t’u shpërngulur në Kosovë, me synimin e vetëm, pjesëmarrjen në Olimpiadë dhe suksesin në sportin e xhudos.
Andaj, këta janë xhudistët në të cilët ka shpresë Kosova. Sfida e tyre e ardhshme do të jetë Kampionati Botëror i Xhudos, i cili do të mbahet në muajin shtator.
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...