Google ADS

Mbyllet java e 15-të në Superligë/ Drita vazhdon shkëputjen, gjashtë ekipe luftojnë për mbijetesë

16:12 | 1 Dhjetor 2024
D.H

Superliga e Kosovës në futboll ka përfunduar sot javën e 15-të, me dy takimet e fundit mes Dukagjinit e Prishtinës dhe Gjilanit ndaj Malishevës.

Kryeqytetasit kanë marrë fitore në çastet e fundit në Klinë, ashtu sikurse Malisheva në Gjilan, shkruan Arbresh.info.

Ndërkohë ditën e djeshme, Drita ka fituar derbin me Ballkanin kurse befasinë më të madhe e ka shkaktuar, Feronikeli ’74 duke e mposhtur Suharekën.

Ndërkohë sfida e vetme që përfundoi baras ishte ajo midis Llapit e Ferizajt që u mbyll 1-1.

Tashmë, tabela është e ndarë në dy pjesë me katër skuadrat e para që luftojnë për Evropën, kurse gjashtë vendet e tjera për t’i ikur rënies nga liga.

Drita është lider me 34 pikë, duke krijuar një epërsi prej gjashtë pikësh me ndjekësin më të afërt, Malishevën që ka 28 pikë.

Ballkani ka mbetur i treti me 26 pikë, një më shumë se Prishtina që ka 25 pikë dhe mban vendin e katërt.

Këto skuadra duket se do të luftojnë për pozitat e para që dërgojnë në Evropë, ndërsa pjesa tjetër nga vendin i pestë deri në vendin e nëntë kanë vetëm tri pikë diferencë.

Suhareka është e pesta me 19 pikë, ndërsa Gjilani, Llapi dhe Dukagjini kanë nga 17 pikë në pozitat gjashtë, shtatë dhe tetë.

Me 16 pikë, Ferizaj është në vendin e nëntë, ndërsa Feronikeli 74 edhe përkundër fitores mbetet i fundit me vetëm 6 pikë.

Në javën e ardhshme takohen: Drita – Dukagjini, Ferizaj – Ballkani, Malisheva – Feronikel 74, Prishtina – Gjilani, Suhareka – Llapi.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme