Mërgim Mavraj nuk mund të grumbullohej në dy ndeshjet e para eliminatore të kombëtares, pasi kapiteni i kuqezinjve vuan dënimin e kartonit të kuq të marrë në takimin kundër Skocisë. Për futbollistin mungesa në listën e Panuccit i shkakton dhimbje, ndërsa Shqipërinë do e shoh me sy të lotuar.
Mërgim Mavraj ka folur për Telesport në një intervistë ekskluzive, ku tregon gjithçka rreth pritshmërive që ka për kombëtaren, rikthimin e lojtarëve të dëmtuar dhe mënyrën se si pritet të luajë Shqipëria.
Mavraj tregon edhe se kush do të jetë kapiteni i ri i kombëtares pas mungesës së tij, ndërsa për herë të parë, qendërmbrojtësi, zbulon arsyen e vërtet të largimit nga Greqia.
Për më tepër lexoni intervistën e plotë të futbollistit kuqezi.
Mërgim, fillimisht le të flasim për publikimin e listës së trajnerit Panucci. Si të duket grupi i thirrur për dy ndeshjet eliminatore?
Mavraj: Besoj se kemi disa lajme shumë të mira dhe pozitive me ftesën e Sadikut. Jemi gëzuar të gjithë sepse është rikthyer përsëri në kombëtare dhe është shëruar. Normalisht që do kontribuojë edhe ky grumbullim për të fituar vetëbesimin, por edhe për të parë vlerësimin që ka ai te kombëtarja. Rikthimi i Naser Alijit është diçka shumë e gëzueshme për ne, apo dhe rikthimi i Abrashit në ekip. Kështu që është një listë, ku unë jam i vetmi që mungon nga ata lojtarë që kanë qenë rregullisht me kombëtaren. Kjo është një gjë shumë e mirë për trajnerin që i ka në dispozicion të gjithë lojtarët.
Lojtarët po kalojnë sezon të mirë me klubet, të gjithë kanë minutazh në këmbët e tyre. Çfarë do të thotë kjo për trajnerin?
Mavraj: Kjo gjë kontribuon në çdo aspekt, besoj se dhe lojtarët do vijnë me ndjesi shumë më pozitive. Çunat do vijnë me vetëbesim dhe vullnet, ndaj kjo është një gjë shumë për nivelin e stërvitjeve. Por kjo e ndihmon shumë dhe konkurrencën, pasi do ketë pozicione ku trajneri do e ketë shumë të vështirë për të bërë zgjedhjen e duhur. Kjo është një gjë që e ka dëshirë trajneri, pasi kjo tregon edhe nivelin e skuadrës. Besoj se trajneri Panucci do të gëzohet shumë nga kjo gjë.
Panucci ka grumbulluar shumë lojtarë në mbrojtje, 9 në total. E sheh këtë si shenjë që në dy ndeshjet e ardhshme do të kemi një ekip mbrojtës?
Mavraj: Nuk është hera e parë që grumbullohen shumë mbrojtës. Ky është identiteti jonë, forca jonë, arma jonë është mbrojtja. Kështu ka qenë dhe në vitet e kaluara. Besoj se ndeshja me Uellsin, ishte shumë domethënëse, pasi morëm një fitore por përjetuam edhe Shqipërinë e “vjetër”. Kombëtaren me ato cilësitë e veta që ka. Të them të drejtën kemi shumë kualitet në mbrojtje. Në fund fare të gjithë do përfitojmë nga kjo situatë. Besoj se dhe Panucci e ka vënë re se arma jonë është më e fortë në mbrojtje se në sulm, në kuptimin e krijimit të rasteve. Na vjen më lehtë t`ia dhurojmë topin kundërshtarit, ta befasojmë me kundërsulme. Kështu që për këtë mënyrë loje besoj se është mirë të kemi kaq shumë lojtarë në dispozicion për këtë repart.
Të vjen keq që do të mungosh në këtë moment me ekipin kombëtar?
Mavraj: Pavarësisht se në çfarë faze gjendet skuadra, mërzitem shumë kur mungoj. Çdo lojtar e ëndërron të luajë për Shqipërinë. Kur mungon është diçka shumë e mërzitshme dhe normale që mua më dhemb më së shumti. Do e shikoj Shqipërinë me një sy që loton dhe me një sy të gëzuar. Normalisht është kënaqësi të shohësh kombëtaren në nivele të larta. Besoj se dhe dënimi është shumë i rëndë, tre ndeshje për këtë gjë kemi komentuar shpesh, mendoj se është një dënim shumë i rëndë, por shpresoj që të ulet dënimi.
Cili duhet të jetë objektivi i Shqipërisë në dy ndeshjet e para?
Mavraj: Ne kemi vetëm një drejtim, përpara dhe vetëm fitore. Pavarësisht se kemi Francën, që do të jetë një kundërshtar shumë i vështirë, në ndeshjet e tjera kemi mundësi të befasojmë këdo. Objektivi jonë do të jetë gjithmonë një paraqitje e mrekullueshme me armët që kemi. Shpresojmë të arrijmë ndonjë rezultat të gëzueshëm me ekipet e mëdha. Gjithsesi ne do synojmë gjithmonë fitore dhe për një klasifikim të mundshëm do shohim në fund fare.
Tashmë që s`jeni ju, kujt i shkon shiriti i kapitenit?
Mavraj: Elseid Hysaj e ka shiritin e kapitenit. Nuk ka diskutim, jam unë i pari pastaj është Elsi i dyti dhe Basha i treti.
Gjatë kësaj periudhe që janë dërguar ftesat, ke folur me çunat dhe si paraqitet situata e grupit, ka optimizëm?
Mavraj: Po kemi pasur kontakt, çunat mes veti takohen, flasim, bëjmë dhe ndeshje. Nuk kemi arsye të jemi pesimistë. Dakord, me Nations League nuk patëm sukses, ka qenë një futboll komplet tjetër që kemi bërë. Një mënyrë loje krejt ndryshe e Shqipërisë, besoj se jemi munduar të bëjmë ndeshje më të mira. Disa njerëz kanë menduar se Shqipëria është gati për të zhvilluar lojën, për të rritur ndeshjet, me mbajt topin. Ky është një vlerësim, sepse dihet që një skuadër që nuk ka shumë cilësi, ata nuk mundohet të zbukurojnë lojën apo të ndryshojë skemën. Kjo është një gjë që kemi provuar të bëjmë dhe ndeshje të mira, por në fund fare rezultati nuk ishte i kënaqshëm për ne. E mbyllëm me një rikthim në ndeshjen me Uelllsin, madje duke bërë një ndeshje cilësore. Nuk kemi arsye për të filluar këtë kapitullin e ri me pesimizëm. Është një shans i ri, oreksi për të fituar është më i madh se pesimizmi nga ndeshjet e kaluara.
Ndërkohë, si po shkon aventura për Mavrajn pas rikthimit në Gjermani?
Mavraj: Po, u ktheva në dimër në Gjermani. Është një ambient që e njoh shumë mirë. Mënyra e lojës më përshtatet shumë, dhe e kam treguar që nga dita e parë që jam ai që isha. Nuk ika nga Greqia se nuk duroja dot aty të vazhdoja më tej, por erdha sepse më ofruan një mundësi shumë të mirë për të qenë lider në një skuadër. Kjo gjë më përshtatet shumë me cilësitë që kam. Klubi është me mundësi shumë të mëdha financiare, ka “Audin” si sponsor kryesor dhe kanë projekte shumë afatgjatë. Ekipi ka vetëm 14 vite që është krijuar dhe normalisht që në fillimet është shumë vështirë të kesh sukses të menjëhershëm. Momentalisht po e përjetojnë këtë, kanë pasur dhe kanë akoma nevojë për eksperiencën time dhe besoj që deri tani kemi përmirësuar shumë. Me një muaj nuk mund të përmirësohet çdo gjë, por normalisht jam shumë i kënaqur që jam rikthyer në Gjermani, jam shumë i kënaqur që jam pjesë e këtij ekipi me shumë mundësi.
Tek Ingolstadt ju kanë cilësuar si “shpëtimtar” të ekipit, ndiheni i tillë?
Mavraj: E ndjej veten si “shpëtimtar”, sepse ka pasur nevojë ekipi për një njeri që i organizon gjërat nga mbrapa. Për një personazh që respektohet nga çunat, që ka gjithashtu dhe cilësitë e lojës, sepse nuk është vetëm personaliteti dhe fiton ndeshjen. Është dhe cilësia e lojës, nga ky aspekt nga dita e parë që kam ardhur këtu besoj se e kam përmirësuar mbrojtjen dhe gjendjen e ekipit.
Nga Greqia u larguat shumë shpejt, çfarë nuk shkoi tek Arisi?
Mavraj: Nga Greqia ika shumë shpejt sepse arsyeja kryesore ishte se nuk kishte xhami për tu falur. E them me plot sinqeritet, sepse jeta e futbollistit nuk është vetëm loja në fushë. Janë dhe shumë orë të tjera që njeriu i kalon në jetën private, dhe mua më mungonte shumë xhamia. Nuk kishte xhami fare aty. Unë isha mësuar me këtë gjë, me vëllezërit e mi, me gjëra që më relaksojnë jashtë futbollit me pas ato aktivitet e mija, që janë të lidhura me fenë time, me shokët e mi. Nuk isha aty për pushim dhe nuk e kisha ndërmend të bëja jetë luksoze apo të shkojë çdo ditë në plazh, por kisha synime. Këto nuk u përputhën në fund fare. Nuk ika me ndonjë keqardhje apo keqkuptim, trajneri nuk pati dëshirë fare, por i thashë ose iki ose e lë futbollin. Kështu që nuk u lashë zgjidhje tjetër.
E keni apeluar kartonin e kuq në FIFA? Kur rikthehesh në kombëtare?
Mavraj: Të them të drejtën nuk e di se kur do të vij përsëri në kombëtare. Shpresoj që të rikthehem sa më shpejt. Në fillim jepet dënimi, më pas bëhet ankesa, pastaj negociohet dhe më vonë shihet. Nuk është vendosur akoma përfundimisht, kështu që shpresoj të kthehem sa më shpejt.
Policia e Shtetit: Do të garantojmë protestën e PD-së në Tir...
Hamza: Pagesa e TVSh-së për biznese do të bëhet pas shitjes ...
Abdixhiku: LDK-ja, e djathta dhe rugovizmi të bëhen bashkë d...
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag
Drejtësia tranzicionale dhe adresimi i krimeve të luftës, Ha...
Lansohet pilotimi i Programit të Kuponëve, Nagavci: Një risi...