Maroku do ta ndërtojë stadiumin më të madh në Afrikë

17:21 | 21 Tetor 2023
KRG

Maroku ka njoftuar për ndërtimin e një stadiumi spektakolar, që do të jetë i dyti më i madh në botë dhe më i madhi në Afrikë.

Synimi i marokenëve është që të jenë nikoqirë të finales së Kupës së Botës 2030 dhe nikoqir të Botërorit bashkë me Spanjën dhe Portugalinë.

Plani i deritashëm ka qenë që nikoqir i finales së Botërorit pas shtatë vjetëve të jetë “Santiago Bernabeu”, stadiumi i Real Madridit, por marokenët po shikojnë mundësinë që ta prishin këtë plan.

Stadiumi do të ndërtohet në qytetin Casablanca dhe parashihet t’i akomodojë rreth 113 mijë tifozë, ndërsa do të nisë së ndërtuari në vitin 2025 e do të përfundojë në vitin 2028 me një kosto prej 470 milionë euro.

Maroku planifikon që t’i rinovojë edhe stadiumet në Tangier, Rabat, Agadir, Marrakesh dhe Fez.

Në këto stadiume do të organizohen ndeshjet e Kupës së Afrikës pas dy vjetësh dhe pritet të jetë një investim prej një miliard e 300 milionë euro nga Qeveria marokene, deri në nisje të Kupës së Botës. /Gazeta Olle/

Të ngjashme