Marcus Rashford refuzon tri oferta të mëdha për t’u larguar nga Man United

17:13 | 3 Janar 2025
R J

Marcus Rashford ka refuzuar tri ofertë të mëdha për t’u larguar nga Manchester United përfundimisht këtë muaj, sipas raportimeve të fundit nga Anglia.

Rashford ishte lënë jashtë listës së lojtarëve të ftuar për duelin ndaj Manchester Cityt muajin e kaluar, me trajnerin Ruben Amorim që nuk e kishte ftuar atë as për tri ndeshjet në vazhdim në të gjitha garat.

Ai më pas u rikthye eventualisht në humbjen që Unitedi e pësoi me rezultat 2-0 në shtëpi nga Newcastle United, por nuk mori fare minuta në atë ndeshje.

Reprezentuesi anglez kishte thënë para gazetarëve se ai është i gatshëm për një aventurë të re.

“Nëse e di që një situatë tashmë është e keqe, unë nuk do ta bëjë atë edhe më keq. E kam parë se si lojtarët janë larguar në të kaluarën dhe nuk dua të jem ai person. Kur të largohem, unë do të bëj një njoftim dhe do të vijë nga unë”, kishte thënë Rashford.

Sipas Daily Mail, Rashford ka marrë disa oferta të ndryshme për t’u larguar nga ‘Old Trafford’, por ai i ka refuzuar që të gjitha.

Ofertat thuhet se janë bërë nga të paktën një klub i panjohur në Superligën e Arabisë, të cilët janë përshkruar si marrëveshje me miliona euro, sipas së cilës ai do fitonte më shumë se sa paga e tij aktuale tek Unitedi (315,000 në javë).

Rashford thuhet gjithashtu se ka përjashtuar edhe një kalim të mundshëm në Superligën e Turqisë, atje ku raportohej se Fenerbahce e drejtuar nga Jose Mourinho ka shprehur interesim për të.

Raporti gjithashtu shton se ‘Djajtë e Kuq’ janë të gatshëm të dëgjojnë ofertat për Rashford këtë muaj dhe do të pranonin edhe një lëvizje në formë huazimi deri në verë./Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme