Marcelo njofton Real Madridin se dëshiron të largohet në janar

23:21 | 22 Tetor 2018
Arbresh Info

Marcelo thuhet se ka informuar Real Madridin se dëshiron t’i bashkohet superyllit Cristiano Ronaldo te Juventusi në muajin janar.

Si një lojtar kryesor në suksesin evropian të gjigantit spanjoll gjatë tri sezoneve të fundit, mbrojtësi i krahut të majtë kishte reputacionin si njëri nga mbrojtësit më të mirë në botë në këtë pozitë, transmeton portali arbresh.info.

Por, pasi shoku i tij i ngushtë – Cristiano Ronaldo u transferua në Juventus gjatë verës së kaluar dhe për shkak të fillimit të dobët të sezonit nga Real Madridi, gazeta italiane ‘Tuttosport’ pretendon se reprezentuesi brazilian tashmë ka informuar presidentin e Real Madridit, Florentino Perez, rreth qëllimit të tij për të kaluar në Torino gjatë merkatos së muajit janar.

Bazuar në gazetën e lartpërmendur, lajmi nuk është pritur fare mirë nga Florentino Perez, i cili e vlerëson statusin e Marcelos me skuadrën dhe e di qartë se Real Madridi nuk mund të përballet më me një largim tjetër të profilit të lartë.

Megjithatë, Real Madridi tani do të përballet gjithashtu me sfidën për të mbajtur lojtarin e pakënaqur në klub përkundër dëshirës së tij.

Dy ish bashkëlojtarët në Real Madrid, Marcelo dhe Cristiano Ronaldo thuhet se kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm dhe se futbollisti portugez ka folur vazhdimisht për eksperiencën e tij të re në Itali.

Në mungesë të superyllit të tyre, Real Madridi ka pasur probleme nën udhëheqjen e trajnerit të tyre të ri, Julen Lopeteguit, duke shkuar në pesë ndeshje pa fitore./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme