Mandzukiç “flirton” me Dortmundin

18:10 | 24 Maj 2019
Arbresh.info

Një flirt, që zgjat prej më shumë se një viti në merkaton e futbollit evropian, mund të kurorëzohet me largimin e bujshëm të Mario Mandzukiç nga kampionët e Italisë.

Juventusi e llogarit “bomberin” kroat mes lojtarëve që do të nisë sezonin e ardhshëm, por temperaturat e larta të kësaj vere dhe ofertat joshëse mund ta çojnë atë në një kampionat që e ka provuar më parë.

Ka një skuadër mbi të gjitha që po provon me çdo kusht të bindë Mandzukiç për t’i veshur ngjyrat e saj. Borussia e Dortmundit e provoi me kroatin edhe verën e kaluar, por pa sukses. Skuadra gjermane, e cila kishte përjetuar një sezon zhgënjyes, ishte e bindur se personaliteti në fushë i Mandzukiç do ta ndihmonte shumë, por në fund nuk arriti asgjë.

Por këtë vit, Dortmundi iu afrua titullit dhe përmirësoi ndjeshëm paraqitjet, madje nëse do ta kishte Mandzukiç, ndoshta titulli do të kishte shkuar drejt pellgut të Ruhrit. Borussia magjepsi me lojë, me tifozë dhe me filozofinë e saj, e për këtë drejtuesit synojnë të përforcohen, siç bënë me 3 blerje ende pa nisur mirë merkatoja.

Problemi kryesor përfaqësohet nga paga e kroatit. Ai merr 6 milionë euro te Juventusi, diçka jo e pamendueshme, por e vështirë që t’ia paguajnë në “Signal Iduna Park”.

Top Channel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme