Man Utd – Tottenham, super ndeshje në gjysmëfinalen e FA Cup

13:23 | 21 Prill 2018
Arbresh.info

Edicioni i 137-të në FA Cup filloi me pjesëmarrjen e plot 737 ekipeve, gjithsesi tani numri i skuadrave është reduktuar në thjesht katër.

Manchester United dhe Tottenham Hotspur do të përballen në Wembley në gjysmëfinalen e parë të FA Cup, kompeticionit më të vjetër në rruzull në rang klubesh. Mbi të gjitha dy nga tre klubet më të mira në historinë e këtij aktiviteti do të bëjnë çmos për të mbajtur të gjalla shpresat për të mbyllur sezonin me një trofe, teksa do të masin forcat në kryeqytetin britanik, pikërisht në stadiumin mitik, që ka qenë dëshmitar i sa e sa ndeshjeve të mëdha në historinë e këtij kompeticioni.

Arsenali është klubi që kryeson me 13 trofe dhe 7 prej tyre “Topçinjtë” i kanë fituar pikërisht me veteranin francez Arsene Wenger, sidoqoftë menjëherë më pas pozicionohet United me 12 kupa, ndërsa në vendin e tretë renditet ekipi tjetër londinez, Tottenham Hotspur. Për hir të shortit “Djajtë e Kuq” konsiderohen si ekipi pritës i këtij takimi e në fakt në shtëpinë e tyre “Red Devils” kanë fituar radhazi katër përballjet e fundit ndërmjet tyre, megjithatë këtë herë është krejtësisht ndryshe, pasi në pritje të përfundimit të punimeve në stadiumin e ri, që për më tepër është ende pa emër, “Spurs” i luajnë që të gjitha ndeshjet në Wembley, sidoqoftë statistikat konfirmojnë se 4 nga 6 skuadrat e fundit vendëse ia kanë dalë mbanë për të triumfuar në FA Cup.

Edicioni i 137-të në FA Cup filloi me pjesëmarrjen e plot 737 ekipeve, gjithsesi tani numri i skuadrave është reduktuar në thjesht katër, me duelin tjetër Southampton – Chelsea që do të luhet ditën e diel po në këtë stadium. Si “United” ashtu edhe “Spurs” kanë përfituar shumë nga shorti i favorshëm, ndërsa në kampionat dy klubet pozicionohen në katërshen e madhe, me ekipin e Jose Mourinho-s që për momentin klasifikohet në vendin e dytë, dy pozicione më lart dhe me gjashtë pikë më shumë sesa skuadra londineze.

Natyrisht Tottenham-i do të ketë avantazhin e faktorit fushë, pasi duke lënë mënjanë ndrojtjen e sezonit të kaluar tani ekipi i Mauricio Pochettino-s është përshtatur më së miri me stadiumin Wembleydhe në impiantin mitik “Gjelat” luajnë lirshëm, duke ofruar një futboll sa të bukur aq edhe cilësor. Përjashtim bëjnë thjesht dy ndeshje, ose më saktë humbjet e vetme që skuadra e trajnerit argjentinas ka pësuar në Premier League, në ekstremet e kampionatit, fillimisht me Chelsea-n dhe javën e kaluar me City-n e Guardiolës.

Me kalendarin që kanë “spurs” nuk duhet të përbëjë shumë problem administrimi i pesë pikëve avantazh kundrejt Chelsea-t, kështu që të gjitha përpjekjet tani shkojnë në Kupën e Anglisë. Në krahun tjetër “Djajtë e Kuq” nuk kanë pësuar ende gol dhe paraqiten në Wembley me golaverazhin 10-0, gjithsesi rekordin e mban një klub si Bury që 115 vjet më parë triumfoi pa pësuar asnjë gol të vetëm. Është e kuptueshme që Tottenham-it ky trofe i nevojitet shumë më tepër se sa “Djajve të Kuq”. United e ka fituar Kupën e Anglisë vetëm dy vjet më parë, me holandezin Louis Van Gaal në timon, kështu që ky trofe nuk shërben si detyrim për askënd e për hir të së vërtetës edhe suksesi në FA Cup nuk do të modifikonte pothuajse asgjë në historinë e një klubi të mbushur plot lavdi si Manchester United, transmeton “Super Sport”.

Historia ndryshon me “Spurs” që kanë humbur vetëm 1 nga 8 finalet e zhvilluara në këtë aktivitet, por që në fakt nuk kualifikohen për në finale që nga viti i largët 1991, kur Tottenham-i me Terry Venables mposhti 2-1 pas kohës shtesë Nottingham Forest-in e të papërsëritshmit Brian Clough. Presioni bie i gjithi mbi “Gjelat”, që përveçse e luajnë këtë takim në Londër, kanë plot një dekadë pa fituar qoftë edhe një trofe të vetëm. Ky është sezoni i katërt i Pochettino-s në drejtimin e ekipit londinez dhe, pavarësisht elozheve për lojën e mirë dhe grupin e shkëlqyer të futbollistëve që ka në dispozicion, trajneri argjentinas herët apo vonë duhet të justifikojë besimin e drejtuesve dhe të qetësojë fansat tashmë të egërsuar të klubit, që ngjason dhe po krahasohet gjithmonë e më shumë me një rival të përjetshëm si Arsenali.

Ndeshja do të luhet në orën 18:15 dhe kurioz është fakti që arbitër do të jetë pikërisht 39-vjeçari nga Manchesteri Anthony Taylor.

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme