Man Unitedi arrin gjysmëfinalen e FA Cup, mposht Norwichin

21:15 | 27 Qershor 2020
A. B.

Manchester Unitedi ka arritur ta sigurojë një vend në gjysmëfinale të FA Cup, pasi e fitoi me rezultat 2:1 duelin si mysafir kundër Norwich Cityt. Vendasit kanë qenë në krizë në Premierligë këtë sezon, mirëpo u treguan kundërshtarë të denjë për Djajtë e Kuq në Carrow Road, ku djemtë e Ole Gunnar Solskjaer arritën ta marrin fitoren vetëm në kohën shtesë dhe pasi rivalët mbetën me dhjetë lojtarë në fushë.

Pas fitores bindëse me rezultat 3:0 në mesjavë kundër Sheffield Unitedit, Manchester Unitedi u nis për në Carrow Road me synimin për ta vazhduar ëndrrën drejt triumfit në FA Cup – që është njëra nga dy trofetë e vetme, bashkë me Ligën e Evropës, për të cilat Djajtë e Kuq janë ende në garë, raporton Gazeta Express.

E përkundër që Ole Gunnar Solskjaer e ka bërë të qartë se skuadra e tij synon ta mbyllë sezonin duke i fituar të dyja këto trofe, ai i bëri tetë ndryshime në formacion, në mënyrë që t’ua lehtësojë barrën futbollistëve që po duhet të luajnë mesatarisht çdo tre ditë pas rinisjes së sezonit.

Megjithatë, Norwichi rezultoi të mos jetë kundërshtar aq i lehtë sa ishte vlerësuar para ndeshjes, pasi që i rezistoi skuadrës së Ole Gunnar Solskjaer e madje e rrezikoi disa herë gjatë ndeshjes.

Manchester Unitedi arriti ta zhbllokojë rezultatin e ndeshjes vetëm në minutën e 51-të, kur Odion Ighalo shënoi nga afërsia për ta kaluar skuadrën e vet në epërsi e për ta vazhduar rekordin e përsosur si golashënues në ndeshjet si titullar.

Djemtë e Solskjaer vazhduan ta dominojnë ndeshjen, mirëpo pa e rrezikuar seriozisht portierin Tim Krul, ndërsa vendasit i shkuan shumë afër golit të barazimit në minutën e 70-të, por goli iu mohua nga vetë lojtari i tyre, i cili e devijoi topin paqëllim.

Megjithatë, Norwichi arriti ta barazojë rezultatin vetëm disa minuta më vonë, kur Todd Cantwell e shënoi një supergol për ta kthyer në lojë skuadrën e tij, që ka qenë duke kaluar në një formë të dobët në Premierligë dhe po e rrezikon rënien në Championship.

Situata u vështirësua për Norwichin në minutën e 89-të të ndeshjes, kur vendasit mbetën me dhjetë lojtarë në lojë, pasi që Timm Klose u ndëshkua me karton të kuq shkaku i një ndërhyrjeje në Odion Ighalon, i cili ishte i vetëm me portierin dhe e kishte një rast të pastër për të shënuar gol.

Në fund, kapiteni Harry Maguire shënoi nga afërsia, pas një rrëmuje në zonën e portierit, për t’ia fituar ndeshjen Manchester Unitedit vetëm dy minuta para përfundimit të kohës shtesë, në minutën e 118-të të ndeshjes.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme