Malisheva shkruan historinë pas triumfit ndaj Ulpianës, merr fitoren e parë në Superligë në histori

19:04 | 28 Gusht 2021
A. B.

Malisheva ka marrë një fitore të madhe me rezultat 3-1 në udhëtim te Ulpiana në kuadër të javës së dytë në Superligën e Kosovës.

Klubi malishevas ka bërë histori pasi ka marrë fitoren e parë në histori në Superligën e Kosovës, pas inkuadrimit këtë sezon.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë thuajse të barabartë, por me mysafirët më konkret duke shënuar një gol.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 30-të dhe ishte Hasan Hyseni, i cili shënoi për epërsinë 0-1 dhe me këtë rezultat ekipet shkuan në pushim.

Në pjesën e dytë, Malisheva ishte dukshëm skuadër më e mirë duke shënuar dy gola tjerë, ndërsa Ulpiana e kreu ndeshjen me një lojtarë më pak pasi Silvester Shkalla (65’) u ndëshkua me të kuq, ndërsa në fund shënoi golin e nderit.

Malisheva gjeti golin e parë në këtë pjesë në minutën e 56-të me anë të Tervioll Stullqakut për 0-2, ndërsa Hasan Hyseni (59’) shënoi për 0-3.

Në fund, Ulpiana gjeti rrjetën me anë të Marcelei Santos (88′) për 1-3 dhe ky doli të ishte rezultati përfundimtar.

Pas kësaj fitore, Malisheva e sheh veten në pozitën e parë me katër pikë, ndërsa Ulpiana zë vendin e nëntë me një pikë.

Në ndeshjen e radhës, klubi malishevas e pret në shtëpi Dritën, ndërsa Ulpiana udhëton te Ballkani. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme