Majlinda kthehet në gara pas më shumë se një viti

14:23 | 10 Janar 2021
Arbresh.info

Kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi, do të garoj të hënën (nesër) në Mastersin në Doha të Katarit. Për Majlindën është kthim në gara të xhudos pas më shumë se një viti.

Ajo së fundi ka garuar në nëntor të vitit 2019. Kampionia e dyfishtë e botës dhe e katërfishtë e Evropës, do të garojë në kategorinë e saj, atë deri 52 kilogramë.

Në luftën e parë përballë Majlindës do të jetë rumunja, Andreea Chitu. Me Chitun, kampionia kosovare është përballur shumë herë. Ndaj saj ka bilanc 7:0. Në Masters paraqiten xhudistët më të mirë në kategori. Kosovën do ta përfaqësojnë plot pesë xhudistë.

Distria Krasniqi është bartëse e parë në kategorinë deri 48 kilogramë dhe në luftën e parë pret fituesen e përballjes në mes të Marusa Stangar të Sllovenisë dhe Milica Nikoliq të Serbisë. Në xhiron e parë e lirë është edhe Nora Gjakova në kategorinë deri 57 kilogramë. Ajo do të përballet me fituesen e luftës në mes të Miryam Roper (Panama) dhe Marica Perishiq (Serbi).

Në kategorinë deri 78 kilogramë, Loriana Kuka në luftën e parë përballet me Sarah-Myriam Mazouz të Gabonit. Ndërsa Akil Gjakova në kategorinë deri 73 kilogramë, përballet me taxhikistanasin Somon Makhmadbekov. Xhudistët kosovarë janë pretendent për medalje në Mastersin në Doha. Është gara e parë e vitit në të cilin mbahet Evropiani, Botërori dhe Lojërat Olimpike. Të gjithë këta pesë xhudistë synojnë medalje olimpike po ashtu./Arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme