Google ADS

Lukaku bind yjet belgë që t’i bashkohen Interit

14:41 | 24 Prill 2020
A. B.

Erdhi te Interi për të zëvendësuar Mauro Icardin dhe për të bërë goleadorin, por ndërkohë që futbolli është ndalur për shkak të koronavirusit, sulmuesi belg Romelu Lukaku po u jep një dorë drejtuesve të klubit për punën në merkato.

Kështu Lukaku është angazhuar personalisht për të bindur dy shokët e tij te Belgjika, Dries Mertens dhe Jan Vertonghen, që t’i bashkohen Interit gjatë kësaj vere, për të krijuar një “koloni” belge te zikaltrit.

Të dy këta futbollistë janë në muajt e fundit të kontratës dhe pritet të dalin lojtarë të lirë me përfundimin e sezonit, ndaj drejtuesit e Interit po provojnë t’i afrojnë për të forcuar skuadrën pa shpenzuar shumë para.

Sa i përket Mertens, është një profil që pëlqehet shumë edhe nga Conte, pasi është një ekspert i kampionatit italian dhe di të përshtatet në mënyrë perfekte me skemën me dy sulmues, sepse ka treguar se di të luajë edhe sy “pykë” edhe si sulmues i dytë.

I njëjti diskutim vlen edhe për mbrojtësin Vertonghen, që momentet më të mira të karrierës së tij i ka treguar në mbrojtjen me 3 dhe jo më kot ka nisur të hasë vështirësi te Tottenham, që kur në pankinë u ul Jose Mourinho.

Ky i fundit shihet si lojtari ideal për t’iu bashkuar zikaltërve, pasi mund të luajë në të dy krahët e mbrojtjes me tre dhe të shtojë ndjeshëm eksperiencën në prapavijën e zikaltërve, duke qenë se ka një eksperiencë shumë të madhe në futbollin e niveleve të larta.

Vetë mbrojtësi pranoi se ka vendosur të largohet nga Tottenham në fund të sezonit dhe se i pëlqen të transferohet në Itali ose në Spanjë, ndërsa ka zbuluar edhe kushtin që duhet të plotësojë skuadra e tij e re.

“Dua të luaj në një kampionat tërheqës dhe për momentin më impresionojnë Italia dhe Spanja. I vetmi kusht për klubin e ri është që të luajë në kupat e Europës”, deklaroi Vertonghen, që mesa duket është bindur nga Lukaku t’i bashkohet Interit./SS/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme