Google ADS

Lufta për talentet, Kosova gati ta “padisë” Shqipërinë

18:12 | 11 Prill 2018
Arbresh.info

Federata Shqiptare e Futbollit ka kaluar në një nivel tjetër “të grabitjes” së lojtarëve kosovarë. Deri më tani bënte garë me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) për lojtarët e pavendosur kosovarë – ata që nuk kishin luajtur me asnjë përfaqësuese.

Por, së fundmi, FSHF-ja ka nisur të kërkojë përforcime brenda strukturës së përfaqësueses së Kosovës. Më konkretisht, po kërkon kapitenin e Përfaqësueses U21 të Kosovës, Ardian Ismajli, që aktivizohet te Hajduku i Splitit. Kjo konfirmohet gjerësisht nga të gjitha palët, ndonëse secila ka versionin e vet, të kundërt me tjetrin.

Sekretari i përgjithshëm

Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm i FFK-së, ka thënë të martën se FSHF-ja e ka kontaktuar në lidhje me Ismajlin dhe se, sipas tij, FSHFja i ka thënë se lojtari ka shprehur vetë dëshirën të luajë me Shqipërinë.

Salihu nuk tha nëse FFK-ja do të pengojë këtë lëvizje apo jo, por, sipas tij, ligjërisht nuk është e drejtë. Ndërkohë, vetë lojtari mohon se ka shprehur dëshirën të luajë me Shqipërinë. Sipas tij, ai është kontaktuar menjëherë pasi Kosova U-21 ndali në barazim Gjermaninë (U-21) në kuadër të eliminatoreve për Europian.

Ismajli, që ishte ndër të dalluarit në këtë barazim pa gola, nuk tha nëse do të shkojë apo jo te Shqipëria, por tregoi se ende mban inatin për trajtimin, siç thotë ai, jo të drejtë në kohën kur përfaqësuesja A udhëhiqej nga Albert Bunjaki. Ky i fundit nuk deshi të flasë për këtë, por tregoi se Ismajli ka pasur rastin të grumbullohet edhe me ekipin A, porse nuk kishte fatin e mirë prapa, pasi u dëmtua në përgatitje para ndeshjes me Kroacinë.

Trajneri i Kosovës

Ndërkohë, trajneri i ri i Kosovës, zvicerani Bernard Challandes, ka thënë se Ismajli është në planet e tij për ndeshjet e verës dhe vjeshtës.

“Ismajli ishte në listën time për miqësoret e marsit në Francë, por ekipi U-21 i Kosovës kishte nevojë për të. Besoj se do ta ftoj për ndeshjet e tjera që kemi në verë. Ai është lojtar i Kosovës. Do t’ia jap rastin dhe do të flas me të sepse është lojtar i mirë”, ka thënë Challandes për “Kohën Ditore”.

Polemika Ismajli-Bunjaki

Për zhvillimin dhe paraqitjet e mira me skuadër dhe përfaqësuese, Ismajli është graduar kapiten i Shpresave të Kosovës. Pas ndeshjeve me Kosovën, fliste plot emocion. Njësoj ishte edhe pas ndeshjes me Gjermaninë (0-0), më 27 mars në Mitrovicë. Por menjëherë pas kësaj ndeshjeje, qëndrimi i tij ndryshoi. Tashmë thotë se trajtimin nga ana e ish-trajnerit Bunjaki dhe ndihmësit e tij, Muharrem Sahiti, e kujton ende.

Në FFK nuk përjashtojnë mundësinë që kjo të jetë edhe formë e presionit nga ana e lojtarit për të arritur më shpejt në përfaqësuesen A të Kosovës. Në të kaluarën, shumë lojtarë e kanë shfrytëzuar Kosovën apo edhe Shqipërinë, duke bërë shantazhe për të arritur qëllimet. “Kanë bërë lojëra me mua Albert Bunjaki dhe Muharrem Sahiti. Nuk më kanë respektuar si gjithë të tjerët”, ka thënë Ismajli për “Kohën Ditore”.

Ai, në kohën kur sapo kishte shkuar në Kroaci, ishte ftuar nga Bunjaki për dy ndeshje, por në asnjërën nuk kishte luajtur. Para njërës ndeshje ishte dëmtuar, ndërkohë para tjetrës ishte larguar nga lista, meqë ishte ndër lojtarët e rinj dhe llogaritej se kishte të ardhme te Kosova. Bëhet fjalë për ndeshjet me Finlandën (5 shtator 2016) dhe Islandën (24 mars 2017), pra, fiks para një viti.

Ai nuk mohoi, por as e pohoi dëshirën për t’iu bashkuar Shqipërisë, boshti i së cilës përbëhet me lojtarë nga Kosova, por mediat në Tiranë thonë se trajneri Kristian Panuçi i ka garantuar atij ftesë për ndeshjet e radhës që Shqipëria do të luajë në fund të majit dhe në fillim të muajit qershor. “Ardian Ismajlin e kam marrë në vitin 2016, kur ai sapo kishte filluar të luante për Hajdukun e Splitit. E kam marrë për ta afruar gradualisht në Kombëtaren ‘A’.

Pas kësaj, e kam ftuar edhe në tetor, por është dëmtuar dhe vetëm një ndeshje ka luajtur për ekipin e vet gjatë vitit 2017. Kjo nuk ka mjaftuar që të ftohet në ekipin e parë. Në atë kohë nuk ka qenë teknikisht dhe taktikisht i përgatitur për ekipin e parë, zhvillimi është diçka tjetër. Pa lejen time, Ismajli nuk do të luante as në ekipin U21. Nëse je kapiten i U-21, duhet ta vlerësosh këtë”, ka thënë ish-trajneri i Kosovës, Albert Bunjaki.

FFK-ja dhe Challandes, të qetë falë rregullores së FIFA-s

Trajneri i ri i Kosovës, Berndard Challandes, ka folur edhe për Lirim Kastratin, një tjetër kosovar që aktivizohet në Kroaci e që po kërkohet nga Shqipëria. Edhe Kastrati luan për përfaqësueset e reja të Kosovës. “Ardian Ismajli dhe Lirim Kastrati kanë luajtur për ekipin U-21 të Kosovës. Kanë përparuar shumë dhe janë kandidatë për ekipin e parë të Kosovës”, ka shtuar Challandes.

Shqipëria në vazhdimësi ka “grabitur” lojtarët e Kosovës. Këtë po e bën edhe pas pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA. Për këtë, FFK-ja e ka kërcënuar se do ta paraqesë në FIFA, nëse vazhdon të marrë dhe regjistrojë lojtarët kosovarë pa të drejtë. Sipas rregullave të FIFA-s për statusin e lojtarëve, Shqipërisë nuk i takon të regjistrojë lojtarët kosovarë. FFK-ja, kohë më parë, pati kërcënuar se do ta denoncojë FSHF-në në FIFA.

Bllokimi

“Nga Federata Shqiptare na kanë kontaktuar dhe na është thënë se lojtari është vetofruar. Ai është kapiteni ynë dhe duhej të bisedonte me ne para se të deklaronte se dëshiron të luajë për Shqipërinë. Kemi seleksionues dhe menaxher, ndaj mendoj se është një hap i nxituar i tiji. Nuk ka thënë se është i pakënaqur, por tashmë del që është i pakënaqur.

Megjithatë, ne do të bisedojmë me lojtarin për ta bindur se është në planet tona. Mendoj se këto lëvizje bëhen për interesa personale. Duket si një presion i tij. Në aspektin ligjor, ne mund ta bllokojmë lojtarin dhe nuk do ta lejojmë që një individ të na prishë raportet me FSHF-në”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu. Në rregullore të FIFA-s mbështetet edhe Challandes… “Nuk kam probleme me Shqipërinë, pasi rregullat e FIFA-s janë të qarta”, ka përfunduar trajneri Challandes.

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme