Lucescu: FIFA dhe UEFA gabuan me Rusinë, sporti kulturë, s’ka lidhje me luftën

12:57 | 14 Mars 2022
Lorik Gerbeshi

Mircea Lucescu e ka kritikuar fort vendimin e Rusisë për të pushtuar Ukrainën.

Trajneri rumun, i cili drejton Dinamon e Kievit prej verës së kaluar, nuk është dakord me përjashtimin e kombëtares dhe ekipeve ruse nga garat ndërkombëtare.

Vendimet u miratuan nga Byroja e Këshillit të FIFA-s dhe Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, përkatësisht organet më të larta vendimmarrëse të qeverive botërore dhe evropiane të futbollit.

“Unë mendoj se sporti nuk ka lidhje fare me politikën dhe ekonominë. Sporti është kulturë, në Rusi kanë nevojë të qëndrojnë të gjallë. Njerëzit kanë nevojë për emocione”, ka deklaruar fillimisht Lucescu.

“Nuk jam dakord me heqjen e të drejtës së sportistëve rusë për të marrë pjesë në garat ndërkombëtare. Ata nuk kanë lidhje me luftën që po bëhet në Ukrainë, sporti vetëm mund të ndihmojë”.

“Kjo luftë do të përfundojë në një moment dhe jeta vazhdon. Sporti është shumë i rëndësishëm, mund të ndihmojë fëmijët”, deklaroi më tej 76-vjeçari nga Bukureshti.

UEFA dhe FIFA nuk do të tërhiqen nga vendimet e tyre, përderisa Rusia të vazhdojë me agresionin ndaj Ukrainës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme