Lorik Cana, jeta e ish-kapitenit kuqezi në një film autobiografik

10:39 | 5 Tetor 2018
Arbresh.info
Lorik Cana ka qenë i ftuari special i emisionit “You & Me”, në radio “ENERGY”. Ish-kapiteni i kombëtares, rekordmeni i ndeshjeve me fanellën kuqezi, ka rrëfyer shumëçka nga jeta e tij, duke hedhur dritë edhe mbi një lajm se është duke pritur një vajzë. Gjakovari me shaka ka nënvizuar se nuk e ka nisur ende punën për këtë gjë, por do të donte të kishte më shumë se një fëmijë.
E meqë të parin e ka djalë, Bojkenin, atëherë dëshira e çiftit të njohur është që ai të ketë edhe një motër (Loriku tha se bashkëshortja e tij, Monica, absolutisht nuk është shtatzënë). Për momentin, (ish)kapiteni i të gjithë shqiptarëve tha se po merret me fondacionin “Lorik Cana”, i cili ka si objekt të punës së vet ndërtimin e infrastrukturës sportive në kopshtet publike, me synim masivizimin e pjesëmarrjes në sport, për një jetë më të shëndetshme.

Para pak ditësh, Cana u vlerësua me çmimin “Albanian Sports Ambasador”, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e dhënë në lartësimin e imazhit të Shqipërisë në botë, përmes futbollit. Ndër të tjera, 35-vjeçari tregoi edhe për jetën që po bën në Shqipëri, ku është vendosur prej një viti:

“Është një kënaqësi. Unë kam pak kohë që jetoj në Shqipëri dhe është një diferencë shumë e madhe kur jeton jashtë dhe vjen, se sa kur je këtu. Ne që kemi jetuar jashtë, me aq sa mundemi, bëjmë gjithçka për një përfaqësim sa më dinjitoz të vendit tonë. Arti, sporti e kultura ta japin këtë mundësi”,  ka thënë Cana, transmeton telesport.al.

Në fund të intervistës radiofonike, Lorik Cana zbuloi një informacion shumë interesant, që ka të bëjë me të. Në fund të këtij viti do të kemi mundësinë të shikojmë një film-dokumentar, të realizuar nga një regjizor shqiptar, që prej kohësh punon edhe si gazetar sportiv, dhe e njeh më së miri ish-kapitenin kuqezi. Ky dokumentar pritet të jetë 1 orë e 30 minuta i gjatë. Titulli nuk i është vendosur zyrtarisht këtij produksioni autobiografik, por mendohet të quhet thjesht “Lorik”.

Intervistën e plotë mund të ndiqni në videon e mëposhtme.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme