Zyrtarisht në pension, si futbollist, që nga prilli 2017, pas një angazhimi përfundimtar te FC Nantes, Lorik Cana po mendon tani rikthimin e tij në futboll.
Natyrisht, jo për të luajtur vetë, por në një aspekt tjetër të lojës magjike, që e mban të ngërthyer orë e çast. Në një intervistë me të përditshmen franceze “La Provence”, ish-kapiteni i Shqipërisë (92 ndeshje dhe 1 gol me kombëtaren kuqezi) ka zbuluar pak më shumë rreth projekteve të tij, ende në botën e futbollit, pa dhënë detaje:
“Unë do të filloj një karrierë si udhëheqës i një klubi, që të krijoj aty përvojë për disa vite. Bëhet fjalë për një klub, që nuk është në njërën nga pesë ligat më të mëdha europiane, por do të jetë një vend i mirë për të krijuar përvojë. Duhet të shoh nëse e pëlqej, nëse ndihem mirë në këtë rol dhe pastaj do të vendos që të shkoj në ndonjë klub më të madh. Unë po synoj drejtimin sportiv, ose në përgjithësi drejtimin e përgjithshëm në futboll”.
Cilën skuadër do të mbështesni, OM apo Lazio, në përballjen mes tyre?
Nuk ka paqartësi në këtë drejtim. Unë jam dhe do të mbetem një mbështetës i madh i OM (Olimpique Marseille)!
Çfarë kujtimesh keni nga katër sezonet tuaja në Romë?
Lazio është klubi, ku kam qëndruar më gjatë. Viti im i parë ishte mjaft i vështirë, sepse arrita në një ekip, që po bënte mirë dhe fillova të luaja rregullisht në fund të nëntorit. Kam pasur dëmtimin tim të parë të madh atje, qëndrova larg fushave për dy muaj. U ktheva, arrita të bëja një fund të mirë sezonal. Viti i dytë ishte shumë i mirë. Kemi pasur një paraqitje pozitive në Kupat e Europës dhe fituam Kupën e Italisë (në vitin 2013).
Ky i Kupës së Italisë ishte një sukses historik, sepse ishte hera e parë që luanin në finale Lazio dhe Roma … Sezoni i tretë ishte më i komplikuar për ekipin, ndërsa i fundit shkoi shumë mirë, me një vend të tretë në renditje. Kam luajtur kryesisht si mbrojtës qendror dhe e kemi përfunduar sezonin si një nga mbrojtjet më të mira të kampionatit. Kam pasur ulje dhe ngritje, momente të mëdha dhe më të vështira. Por në fund, është një vend, me të cilin jam i lidhur. Nuk e dija që edhe gruan time do ta gjeja atje, në Romë.
Çfarë mbani mend nga ky trofe, fitimi i Kupës së Italisë kundër Romës?
Ishte një moment historik. Mbështetësit e Lazios thonë: Nuk mund të ketë hakmarrje (qesh)! Ekipi fitues mbetet në histori. Ka ndodhur kjo dhe asgjë nuk mund ta fshijë, përveç rastit nëse titulli kampion luhet në një ndeshje finale midis dy skuadrave romake, ose finalja e Kupës Europiane.
Ju keni përjetuar rivalitetin mes OM dhe PSG, si do ta përshkruani atë mes Lazios dhe Romës?
Rivaliteti është superior në derbin e Romës, është i instaluar në qytet dhe ju e ndjeni çdo ditë. Në Marsejë, të gjithë e mbështesin OM. Klasikja kundër PSG është shënuar në kalendar, mbetet e rëndësishme, por nuk flisnim për atë deri në afrimin e ndeshjes. Në Romë, ne flisnim për derbin gjatë gjithë vitit. E kam përjetuar këtë në Stamboll, me derbin e Galatasaray-Fenerbahce, por ai i Romës është edhe më i rëndësishëm dhe i zjarrtë. Roma është një qytet, ku mund të dalësh në heshtje, ndryshe nga Napoli apo Marseja, ku njerëzit janë gjithmonë prapa jush.
Një fjalë për ish-klubin tuaj italian, si të tillë…
Lazio është një klub historik, edhe nëse forca e saj nuk krahasohet dot me atë të Juventusit, me dy klubet e Milanos, apo Napolin. Por, prej dhjetë vitesh, Lazio është pothuajse gjithmonë në Kupat e Europës, edhe nëse nuk arrin të kualifikohet për Ligën e Kampionëve. Para shkuarjes sime, Lazio përfundoi e pesta, por Italia përfaqësohej vetëm me katër skuadra në Champions. Në sezonin tim të parë, Seria A humbi një vend tjetër përfaqësimi në Champions dhe Lazio përfundoi e katërta. Përkundër kësaj, Lazio mbetet një klub i madh i kampionatit italian, me përkrahës shumë të zjarrtë. Në vitin 2000, klubi bëri gjithçka për t’u bërë kampion dhe shkëlqeu në Kupat e Europës, me një ekip “jashtëtokësorësh”. Por, në fund të atij sezoni u vërtetua se Lazio po kërkonte diçka, përtej mundësive të saj.
Si është presidenti Claudio Lotito ?
Ai e di se ku dëshiron të shkojë dhe, edhe pse shumë tifozë i ka kundër, ka meritën për ringritjen e Lazios. Lottito mund të jetë i pasaktë në mënyrën e tij të të bërit të gjërave, ose si ta shprehë veten, por ka rezultate dhe kjo meritë i takon vetëm atij.
Cila është pikëpamja juaj për përballjen e Lazios me OM?
Mediat italiane më telefonuan që të merrnin mendimin tim për këtë ndeshje. Mendoj se OM ia ka komplikuar jetën vetes, duke humbur ndeshjen e parë në shtëpi (1-2 kundër Eintracht Frankfurt) dhe mos fituar në Qipro (2-2 kundër Apollon Limassol). Tani, OM përballet me një kundërshtar, i cili, sipas mendimit tim, është më i fortë se dy klubet e tjera. Në këtë grup, unë mbetem mbështetës i OM. Idealja për mua do të ishte që Marseja dhe Lazio të kualifikohen, por do të jetë shumë e vështirë. OM i duhet të marrë të paktën katër pikë kundër Lazios, por romakët po performojnë mirë, kanë një sulmues në formë të mirë, si Ciro Immobile.
Çfarë mendoni për mesfushorin Sergej Milinkoviç-Saviç?
Ai ka pasur dy sezone të shkëlqyera, pas një viti adaptimi në futbollin italian. Sezonin e kaluar ishte me të vërtetë një lojtar i madh. Ky vit është konfirmimi i tij, sepse nuk punon ende me shpejtësi të plotë. Ai ka një këmbë fantastike në krahasim me madhësinë e trupit. Mendova se do të largohej këtë verë, por Lazio arriti ta mbante. Ajo dëshiron t’i japë vetes mjetet e duhura për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve.
Ku mund të arrijë OM?
Qëllimi i madh i OM është që të përfundojë në podium, për të synuar Champions-in, por nuk e di se çfarë prioriteti do të ketë klubi në “Europa League”. Marseja duhet të luajë shumë dhe e ka ekipin, që ta mundë Lazion.
A do të jeni në “Velodrome” këtë të enjte?
Doja të isha atje, por kam një aktivitet bamirësie me fondacionin tim atë ditë, në Tiranë. Për fat të keq, nuk do të jem në gjendje të jem atje. Por, drejtuesit e Lazios më kanë përfshirë në protokollin e ndeshjes së kthimit, më kanë ftuar, kështu që do të jem në Romë, më 8 nëntor. Do do të marr pjesë në drekën zyrtare mes dy skuadrave, pastaj do të shoh ndeshjen.
Me çfarë po merreni aktualisht?
Unë drejtoj një fondacion me interes publik, që promovon sportin dhe kulturën tek të rinjtë në Tiranë, ku jam vendosur deri në vitin e ardhshëm. Pastaj, do të filloj një karrierë si drejtues i një klubi, ku të fitoj përvojë disa vite.
Përse të mos ktheheni në të ardhmen me një rol udhëheqës tek OM?
Do të doja shumë…
A mund të na tregoni më shumë për të ardhmen tuaj?
Kam nisur negociatat për blerjen e një klubi, por nuk mund të flas për të ende. Ky është një klub që nuk është pjesë e njërës nga pesë ligat më të mëdha europiane, por do të jetë një vend i mirë për të krijuar përvojë. Më duhet të shoh nëse e pëlqej, nëse ndjehem mirë në këtë rol dhe nëse mund të mendoj të shkoj në një klub më të madh. Më tepër synoj drejtimin sportiv, ose në përgjithësi drejtimin e përgjithshëm. Për të stërvitur (trajner), kurrë nuk më ka tërhequr. Drejtimi, me të vërtetë më intereson mua.
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...
Kërcënime me bomba në dhjetëra shkolla në Gjermani