Lojtarët e Arsenalit bënë përpjekje këmbëngulëse për ta fituar pikërisht për Granit Xhakën duelin e 1/8 së finales kundër Liverpoolit në Carabao Cup të mërkurën, sipas Emiliano Martinezit, i cili pohon se e mbështesin plotësisht kapitenin e tyre.
Përkundër se ishte dy herë në epërsi të dy golave dhe po fitonte deri në minutën e 94-të, kur Divock Origi shënoi për ta çuar ndeshjen në penallti, Arsenali u eliminua pasi humbi 5:4 pas penalltive në Anfield.
Granit Xhaka nuk ishte ftuar fare për këtë ndeshje nga Unai Emery, pas zënkës me tifozët e vet në barazimin 2:2 kundër Crystal Palace në fundjavë në Emirates. Mesfushori shqiptar i Zvicrës u fishkëllye nga tifozët e vet derisa po e linte fushën pasi u zëvendësua, dhe reagimi i tyre e nxiri Xhakën të përgjigjej me sharje ndaj tyre.
Me gjithë presionin nga lart, Xhaka ende nuk ka kërkuar falje ndaj tifozëve të cilëve u tha të pi***nin.
Trajneri Emery dhe drejtorët e Arsenalit, Raul Sanllehi dhe Edu i kanë bërë thirrje 27-vjeçarit të kërkojë falje.
Por Xhaka vazhdon ta ruajë heshtjen edhe pse thuhet të jetë shkatërruar nga ky incident. Sipas burimeve të Goal, Xhaka nuk e ndien nevojën për të kërkuar falje për shkak se ka kohë që e duron sjelljen e ashpër të tifozëve.
Dhe Martinez – i cili ishte në portën e Arsenalit në ndeshjen e mbrëmshme kundër Liverpoolit, këmbëngul se Xhaka ka qenë në mendjen e secilit lojtarë të topçinjve gjatë kësaj ndeshjeje.
“Ai është lider i madh i joni dhe ne e përkrahim deri në fund. Ne deshëm të fitonim këtë lojë për të dhe për Arsenalin”, tha Martinez.
“Xhaka ndihet i rrënuar sepse ka një familje të mirë dhe zemër të mirë. Ai e dashuron këtë klub”, shtoi ai. /Gazeta Express/
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...