Sot janë zhvilluar katër ndeshjet e para të 1/8 së finales në Digitalb Kupën e Kosovës, me çka edhe nisën garat e stinorit pranveror në futbollin e Kosovës.
Kualifikimin në çerekfinale të kësaj gare e kanë siguruar Ferizaj, Drenica, Trepça’89 dhe Llapi.
Ndeshja më interesante u zhvillua në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, ku fituesi u përcaktua vetëm pas gjuajtjes së penalltive. Llapi dy herë ishte në epërsi ndaj Feronikelit, por nuk arriti ta ruajë atë deri në fund. Ndeshja në kohën e rregullt u mbyll 1:1, kurse pas vazhdimeve 2:2.
Llapjanët kaluan të parët në epërsi me golin e Festim Krasniqit në minutën e 59-të nga gjuajtja e lirë. Mirëpo, vetëm tetë minuta më vonë Feronikeli i barazoi shifrat pas autogolit të Hamdi Namanit.
Ndërkohë, në vazhdime Feronikeli ishte më këmbëngulës për të gjetur golin, por ishte Llapi që shënoi sërish i pari në minutën e 105-të, kur Mirlind Daku shfrytëzoi një gabim të Ardian Limanit. Në minutën e fundit të vazhdimeve Feronikeli i barazoi shifrat me golin e Mendurim Hotit nga penalltia, pasi paraprakisht një lojtar i Llapit e ndali topin me dorë në vijën fatale të portës.
Në gjuajtjet e penalltive më të suksesshëm u treguan futbollistët e Llapit, të cilët fituan 4:2. Te llapjanët dështoi vetëm Hamdi Namani, derisa te Feronikeli nuk shënuan Mark Milicaj e Yll Hoxha.
Mjaft interesante dhe rivalizuese ishte edhe ndeshja ndërmjet Ferizajt dhe Gjilanit, të cilën në fund e fituan ferizajasit me rezultat 1:0. Golin e vetëm në këtë ndeshje e shënoi Behluli, në minutën e 25-të me gjuajtje nga brendësia e zonës.
Ndërkohë, në dy ndeshjet e tjera Trepça’89 dhe Drenica shënuan fitore të lehta në ballafaqime me Hajvalinë, përkatësisht KEK-un. Skuadra kampione vjeshtore e Vala Superligës, Trepça’89 iu gëzua fitoressi mysafire me rezultat 4:0, me golat e shënuar nga Fiton Hajdari (4’, 64’), Oto John (10’) dhe Florent Hasani (92’).
Ndërkaq, Drenica e mposhti KEK-un me shifrat 3:0, me golat e shënuar nga Kreshnik Nebihu (16’, 32’) dhe Kreshnik Lushtaku (53’). Nesër zhvillohen katër ndeshjet e tjera të 1/8 së finales të Digitalb Kupës së Kosovës ku do të kompletohen skuadrat çerekfinaliste. /Arbresh.info
Rezultatet
Feronikeli – Llapi 1:1 – 2:2 (2:4)
Drenica – KEK-u 3:0
Hajvalia – Trepça’89 0:4
Ferizaj – Gjilani 1:0
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...
Mbi një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë
Juventusi rikthehet tek fitorja në Serie A, triumfon ndaj Mo...