Liverpooli i ofron Alexander-Arnold një kontratë ‘astronomike’ për ta refuzuar Real Madridin

07:19 | 5 Janar 2025
E.G

Liverpooli raportohet se i ka ofruar Trent Alexander-Arnold një shumë të majme parash për të nënshkruar një kontratë të re me klubin.

Alexander-Arnold është njëri prej tre lojtarëve të Liverpoolit, së bashku me Mohamed Salah dhe Virgil Van Dijk, kontratat e të cilëve skadojnë në qershor të 2025.

Më 31 dhjetor, u raportua se Liverpooli ka refuzuar një ofertë nga Real Madridi për transferimin e mbrojtësit anglez.

‘Los Blancos’ kontaktoi me Liverpoolin, por interesimi i tyre për lojtarin u kundërshtua menjëherë.

Raporti gjithashtu shpjegon se Liverpool dhe përfaqësuesit e Alexander-Arnold kanë qenë në bisedime për një marrëveshje të re tash e disa muaj.

Tani, The Mirror ka raportuar se liderët e Ligës Premier i kanë ofruar atij një kontratë të vlefshme prej 78 milionë eurosh për pesë vite, në mënyrë që ta joshin të qëndrojë në ‘Anfield’.

Thuhet se një ofertë e ngjashme prej 300 mijë euro në javë është në dispozicion edhe nga Madridi, atje ku ai do të merrte edhe një bonus të madh nënshkrimi nëse iu bashkohet si lojtar i lirë.

Drejtuesit e klubit spanjoll madje ofruan 20 milionë euro për transferimin e tij gjatë janarit, por nuk ishte e mundur që në këtë pikë të negociohet me Liverpool./Telegrafi/

Të ngjashme