Liverpooli “gjen” pasuesin e Salahut

15:06 | 26 Shtator 2024
K.B

Liverpool raportohet se ia kanë vënë syrin një prej yjeve brazilianë sulmues të Real Madridit si pasues potencial të Mohamed Salahut mes pasigurisë së vazhdueshme për të ardhmen e egjiptianit.

Tashmë dihet se ish-lojtarit të Chelseat dhe Romës i përfundon kontrata verën e vitit të ardhshëm, dhe ai ka dërguar mesazhe të përziera.

Salah pranoi se ai po përgatitet që sezoni 2024-25 të jetë i fundit për të në fanellën e Liverpoolit, ndonëse komentet e tij u interpretuan në mënyra të ndryshme.

Megjithatë, thuhet se ai do të hyjë në negociata për vazhdim të qëndrimit në Anfield në janar.

Por, duke i marrë për bazë këto zhvillime, raportohet se “Reds” ia kanë vënë syrin sulmuesit të Real Madridit, Rodrygo si lojtari potencial për të zënë vendin e Salahut nga viti 2025 e tutje.

23-vjeçari është shquar gjatë sezoneve të fundit nën Carlo Ancelottin ndërsa edhe këtë fillim-sezoni është duke shkëlqyer, duke shënuar tri gola dhe dy asiste në nëntë ndeshjet e fundit në të gjitha garat.

Rodrygo mbetet nën kontratë te Real Madridi edhe për katër vjet, duke e nënshkruar vazhdimin nëntorin e kaluar me klauzolë lirimi prej 1 miliard euro.

Megjithatë, kampionët aktual të Champions League dhe La Liga duket se nuk janë të interesuar ta lënë Rodrygon të largohet për një shumë modeste, dhe Liverpooli është i gatshëm të paguajë 100 milionë euro për të.

Braziliani iu bashkua Los Blancos si 18-vjeçar nga Santos më 2019, dhe tani ka 57 gola dhe 43 asiste në 225 për skuadrën e Ancelottit. /Klankosova.tv

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme