Google ADS

Liria merr ndihmësin e Fatih Terimit si trajner kryesor

15:31 | 21 Qershor 2023
Emir Abduramani

Klubi i futbollit “Liria” ka bërë goditjen e madhe në afatin kalimtar të verës.

Klubi historik nga Prizreni, i saporikthyer në Superligë, ka emëruar turkun Nedim Yigit si trajner për sezonin e ri.

Këtë e bëri të ditur vetë klubi prizrenas, të cilët thanë se ai “i ka thënë PO ofertës së Lirisë”.

“Ai, tashmë zyrtarisht do të jetë kryetrajner i Lirisë. Shpresojmë që përvoja e tij të sjell suksese klubit tone por dhe futbollit kosovar të ketë dobi nga ky njohës i futbollit”, ka thënë Valon Osmani, menaxher i Lirisë.

Vetë trajneri Yigit është shprehur i kënaqur që mori drejtimin e skuadrës.

“Do të bëjmë punë të mira. Do të jap gjithë dijen time që ekipin ta dërgojmë në nivele të larta”, tha ai pas nënshkrimit të kontratës.

Yigit në karrierën e tij ka qenë ndihmëstrajner në ekipin kombëtar të Turqisë në vitet 2016-2018, si ndihmës i trajnerit legjendar turk, Fatih Terim, teksa ka qenë edhe trajner kryesor i Turqisë U-20 (2014-2016) dhe drejtor i akademive të Galatasaray (2018-2019) dhe Istanbul Basaksehir (2019-2023).

Te Liria, ka ardhur nga Iskenderunspor, e cila garon në ligën e tretë turke./Arbresh.info

Të ngjashme