Ligat australiane u ndajnë shpërblime të barabarta djemve dhe vajzave në futboll

10:28 | 21 Gusht 2023
Orgesa Haziri

Autoriteti rregullativ i ligave të futbollit në Australi (AFL) bëri të ditur më 21 gusht se paratë e ndara për shpërblimet për ligën e nivelit të parë të futbollit të vajzave në Australi pothuajse do të dyfishohen për sezonin e ardhshëm.

Kjo bën që, për herë të parë, shpërblimet në ligat e futbollit të vajzave të jenë po aq sa të djemve.

Gjithsej 1.1 milion dollarë australian do të ndahen mes tetë ekipeve të para në ligën e nivelit të parë të futbollit të vajzave (AFLW), në krahasim me rreth 620 mijë për sezonin e kaluar.

Ndërkohë, në ligën e djemve (AFL), 1.1 milion dollarët do të ndahen mes katër ekipeve më të suksesshme gjatë sezonit. Kjo shifër kishte qenë e njëjtë edhe gjatë sezonit të kaluar.

AFLW-ja fillimisht kishte pasur tetë ekipe garuese në vitin 2017, por u zgjerua në 14 ekipe në vitin 2020. Sezonin e kaluar u shtuan edhe katër ekipe të tjera në mënyrë që liga të jetë e ngjashme me atë të djemve, AFL-në 18-ekipëshe.

Sezoni i ri i AFLW-së, i teti, do të fillojë më 1 shtator.

“Ne i kemi dy nga garat më të mira sportive në vend”, tha shefi ekzekutiv i AFL-së, Andrew Dillon. “Jam i lumtur që mund t’ju lajmëroj se shpërblimet do të jenë të barabarta për garat tona elitare, AFL dhe AFLW”.

Ky lajmërim erdhi menjëherë pas përfundimit të Kupës së Botës të grave, ku lojtaret e Australisë u ankuan për pabarazi gjinore sa u përket shpërblimeve monetare para se të niste turneu në vendin e tyre.

Kryeministri Anthony Albanese u zotua se do t’i ndante 200 milionë dollarë australian për avancimin e futbollit të vajzave në vend, pasi ekipi kombëtar i Australisë arriti në gjysmëfinale të Kupës së Botës./rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme