Google ADS

Liga e Kombeve drejt ndryshimeve, garës pritet t’i bashkohen edhe kombëtaret nga Amerika e Jugut

17:20 | 17 Dhjetor 2021
Lorik Gerbeshi

Zhvillim revolucionar në futbollit e kombëtareve. UEFA dhe CONMEBOL-i po punojnë për të përfshirë përfaqësueset e Amerikës së Jugut në Ligën e Kombeve, ku aktualisht garojnë vetëm kombëtaret europiane.

ESPN raporton se organizatat më të larta të futbollit në Europë dhe Amerikën e Jugut kanë nënshkruar një marrëveshje, sipas së cilës, 10 skuadrat nga Amerika e Jugut do të bëhen pjesë e Ligës së Kombeve të UEFA-s që nga viti 2024.

Ky zhvillim i ri vjen pas rinovimit të Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar nga UEFA dhe CONMEBOL-i këtë javë, i cili do të fillojë me të ashtuquajturën “Finalísima”, duelin ndërmjet Italisë dhe Argjentinës si fitues të Europianit dhe Kupës së Amerikës (“Finalisima” do të organizohet të paktën deri më 30 qershor 2028).

Kjo marrëveshja është një kundërpërgjigje ndaj idesë së FIFA-s për ta zhvilluar Botërorin çdo dy vjet.

Ndeshjet do të vazhdojnë të zhvillohen në territorin europian. Gjashtë skuadrat më të mira të CONMEBOL-it do të hyjnë drejtpërdrejt në Ligën A të Ligës së Kombeve të UEFA-s (22 ekipe në total), ndërsa katër skuadrat e mbetura të Amerikës së Jugut do t’i bashkohen Ligës B, e cila do të mbetej me 20 skuadra, siç njoftoi Zbigniew Boniek, zv. president i UEFA-s.

“Kjo është “UEFA Nations League” e fundit me këtë format. Ne patëm një takim me CONMEBOL-in dhe nga viti 2024 kompeticionit do t’i bashkohen ekipet e Amerikës së Jugut. Në Ligën A do të luajnë deri në 22 skuadra, në të cilën aktualisht garojnë 16 skuadra. Gjashtë prej tyre do të jenë nga zona CONMEBOL. Katër skuadrat e mbetura do t’i shtohen Ligës B”, sikurse shpjegon ish-futbollisti polak.

“Ligat C dhe D do të luhen me të njëjtat rregulla si tani. Asgjë nuk do të ndryshojë. Në çfarë formati do të jetë? Ende po punojmë për të. Kalendari i ndeshjeve të ekipeve kombëtare është i kufizuar”, – deklaroi Boniek.

Nëse konfirmohet ndryshimi i formatit, do të ishte një zhvillim pozitiv për skuadrat e Amerikës së Jugut sa i përket grumbullimit, duke pasur ndeshje tërheqëse kundër rivalëve evropianë të nivelit të parë, krahas takimeve konkurruese në kualifikueset e Botërorit të Amerikës së Jugut.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme