Google ADS

Lewandowski: E respektoj punën e zellshme të Ronaldos, por për Messin gjithçka është e lehtë

11:12 | 22 Dhjetor 2021
A. B.

Robert Lewandowski beson se Cristiano Ronaldos i është dashur të punojë shumë më shumë se sa Lionel Messit për të arritur sukses në karrierë, duke thënë se për argjentinasin gjithçka duket e lehtë.

Sulmuesi i Bayern Munich Lewandowski është i vetëm që ia ka dalë t’i sfidojë Ronaldon dhe Messin me aftësitë e tij për të shënuar gola të shumtë në dy sezonet e fundit.

Polaku e fitoi Këpucën e Artë, çmimin për golashënuesin më të mirë në Evropë, në dy sezonet e fundit dhe doli i dytë në garë për Topin e Artë 2021, pas Messit.

Duke folur në një intervistë për gazetën gjermane Bild, 32-vjeçari u pyet për mendimin e tij për rivalitetin mes Ronaldos dhe Messit.

Polaku i nderoi ata duke thënë se ata kanë qenë të pakapshëm për të tjetër për një kohë shumë të gjatë.

“Që prej se jam bërë profesionist, Messi dhe Ronaldo kanë qenë mbi të gjitha të tjerët. Gjithmonë ka qenë një duel vetëm mes tyre”, tha Lewandowski për Bild.

Lewandowski e shpjegoi dallimin mes Ronaldos dhe Messit, duke i bërë jehonë mendimit të shumicës se argjentinasi është talent natyral, ndërsa portugezi produkt i punës së zellshme.

“Varet se çfarë tipi i lojtarit të pëlqen. Përgjigja ndaj kësaj pyetjeje është e vështirë. Unë e respektoj punën e zellshme të Cristiano Ronaldos. Për Lionel Messin gjithçka duket e lehtë. Mendoj se Cristianos i është dashur të punojë shumë më fort për të pasur sukses”, shpjegoi ai.

Gjatë kësaj vere, të dy Ronaldo dhe Messi ndërruan klubet, i pari u kthye në Manchester Unitedin ndërsa i fundit iu bashkua Paris Saint-Germainit.

Derisa Messi e fitoi Topin e Artë për herë të shtatë rekorde, Ronaldo u rendit vetëm i gjashti dhe mbetet me pesë Topa të Artë në karrierë. /GE/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme