Lewandowski e kujton kohën kur gati i ishte bashkuar Manchester United

21:36 | 21 Nëntor 2024
E.G

Robert Lewandowski, një nga sulmuesit më të suksesshëm të viteve të fundit, ka zbuluar një histori interesante nga karriera e tij, duke treguar se si një transferim te Manchester United ishte shumë pranë realizimit në vitin 2012.

Në një intervistë në podkastin e Rio Ferdinand, polaku ka kujtuar bisedën me Sir Alex Ferguson, duke treguar sesi ai ishte i gatshëm të bashkohej me “Djajtë e Kuq”.

“Ishte viti 2012, Sir Alex Ferguson më thirri dhe vendosa të shkoj te Manchester United”, ka thënë Lewandowski. “Ishte parasezon, po luaja me Borussia Dortmund. Në një nga ndeshjet, pas pjesës së parë, u zëvendësova dhe mora telefonatën e tij. Anglishtja ime atëherë nuk ishte si tani dhe, me theksin skocez të Ferguson, nuk kuptova shumë. Por e dija se çfarë doja t’i thosha, doja të luaja për të”.

Megjithatë, transferimi nuk ishte realizuar, dhe këtë Lewandowski ia atribuon refuzimit të Borussia Dortmund. “I dhashë hapjen time totale transferimit. Nëse Sir Alex Ferguson ju thërret, është e vështirë të thuash jo, sidomos kur je njëzet e dy ose njëzet e tre vjeç dhe Manchester United është në kulmin e tij. Por presidenti i Dortmundit më tha se nuk ishte koha e duhur dhe se klubi kishte nevojë për mua”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme