Ish futbollisti i Liverpoolit, Jamie Carragher, ka deklaruar se Paul Pogba duhet të jetë kapiten i Manchester United në sezonin e ardhshëm.
Carragher, tashmë analist i futbollit në Sky Sports, beson se mesfushori francez duhet të jetë kapiten pas Miachel Carrick, i cili është kapiteni aktual.
Reprezentuesi francez është duke luajtur një rol të jashtëzakonshëm në formën dhe ecurinë e skuadrës së Jose Mourinhos.
Në tetë ndeshjet që ai ka luajtur në Premierligë, djajtë e kuq kanë fituar shtatë takime dhe kanë shënuar 24 gola.
Ndërsa, ai ka munguar në shtatë takime dhe çuditërisht United ka fituar vetëm katër prej tyre dhe vetëm 11 gola të shënuara.
Legjenda e Liverpoolit pret që 24 vjeçari të marrë shiritin e kapitenit nga Carrick, për sezonin e ardhshëm.
“Ai në dy apo tre sezonet e fundit ka ngritur nivelin e lojtës së tij, këtë e dëshmojnë edhe statistikat”, tha ai për Sky Sports.
“Ndoshta, Pogba është lojtari më i rëndësishëm në skuadër të United. Unë mendoj se në fund të sezonit apo në fillim të sezonit të ri, ai do të jetë kapiten i klubit”, shtoi Carragher.
Carragher po ashtu ka shprehur zhgënjimin e tij, që ish anëtari i Juventusit nuk do të mund të paraqitet kundër liderëve të ligës, Manchester City, në derbin e vikendit të ardhshëm.
Pogba u ndëshkua me karton të kuq, pas një ndërhyrje jo mirë të kontrolluar ndaj Hector Bellerin dhe ish qendermbrojtësi anglez beson se francezi do të jetë një mungesë e madhe.
“Jam i zhgënjyer që ai nuk do të luajë në derbi. Unë do të dëshiroja të shikoja se si Mourinho do ta përdorte Pogban ndaj Manchester Cityt, duke e ditur se përball do të kishte mesfushorët, Kevin De Bruyne dhe David Silva. Të gjithë e shikuam se si Pogba ishte krucial në golin e tretë të United”, përfundoi Carragher.
Manchester United dhe Manchester City javën e ardhshme do të përballen në Old Trafford, për ta zhvilluar derbin e qytetit në kuadër të Premierligës. /arbresh.info/