Legjenda e Kombëtares e këshillon Armando Sadikun

11:17 | 13 Qershor 2017
Arbresh.info

Armando Sadiku është duke kaluar ndoshta momentin më të mirë në karrierën e tij si futbollist. Sulmuesi elbasanas është kthyer në një faktor të rëndësishëm në Kombëtare sidomos pas dy golave të fundit ndaj Izraelit, por që vijnë edhe pas një super sezoni në Zvicër me Luganon nën drejtimin e Tramexanit.

Sadiku deri më tani ka shënuar 9 gola me fanellën e Kombëtares, duke qenë i vetmi që mund të rrezikojë rekordin e Erjon Bogdanit me 18 gola. Por për ish-sulmuesin kuqezi, aktualisht trajner i Shqipërisë U19, kjo gjë nuk përbën aspak një problem për të. Në një intervistë për Panorama Sport, Bogdani ka deklaruar: “Rekordet janë bërë për t’i thyer. Personalisht më bëhet qefi për sulmuesit e Kombëtares. Do të thotë që, nëse e thyejnë rekordin e golave me Shqipërinë, ne do ta shikojmë sa më lartë këtë ekip dhe mua që jam tifoz i kësaj Kombëtareje, do të më bëhej qejfi. Jo vetëm kaq, sepse me këta sulmues kam luajtur dhe i kam stërvitur”, u shpreh fillimisht “Bogu”.

Më tej ish-“bomberi” i Kombëtares dha edhe një këshillë për Sadikun: “Me Sadikun kam folur shpesh, por gjithashtu edhe me Cikalleshin e Balajn dhe jua kam thënë gjithmonë ato që mendoj për secilin prej tyre. Për Sadikun them që këtë vit duhet të kalojë në një ekip të fortë për të treguar veten, sepse i ka të gjitha mundësitë për të shënuar dhe të udhëheqë ekipin ashtu si me Kombëtaren“, tha ndër të tjera Bogdani.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme