Njeriu që kishte gjunjëzuar njëherë serbët kur shënoi gol për Flamurtarin e Vlorën midis Beogradi në portën e Partizanit, Sokol Kushta e shikon plotësisht të merituar kalimin e Tiranës në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampioneve.
Në një intervistë të dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, legjenda vlonjate e futbollit thotë se Tirana ishte ekip solid dhe i jep për këtë meritë edhe trajnerit Egbo.
Duke iu referuar ndeshjes së radhës me Crvena Zvezdën, Kushta mendon se Tirana i ka kushtet edhe për ta kaluar këtë tur, pasi mundësi e artë është fakti që luhet në shtëpi, në kryeqytet. Crvena Zvezdën e cilëson si rivale të përjetshme me Partizanin e Beogradit dhe mendon se nëse do të kualifikohet Tirana, Partizani do të festojë.
Duke folur për futbollin shqiptar, ish-futbollisti i shquar thotë se Kosova po na jep leksione, ndërsa në Shqipëri vijon “anarkia”. Për sa i përket Flamurtarit, Kushta flet edhe si anëtar i bordit e këshilltar, duke theksuar se Këshilli Bashkiak është i vendosur t’i plotësojë çdo kërkesë dhe kusht Sinan Idrizit me qëllim ringjitjen e kuqezinjve në Kategorinë Superiore.
Kushta, si ju duk ndeshja mes Tiranës dhe Dinamo Tbilisit?
Tirana ishte edhe në letër favorite. Por kur e shikon ndeshjen, e kupton ndryshimin në lojë. Tirana ishte ekip solid dhe duket dora e trajnerit Egbo. Për mua e meritoi plotësisht.
Sa i ka shanset Tirana për ndeshjen që luhet në kryeqytet me serbët e Crvena Zvezdës?
Nuk mund të flasim për Crvena Zvezdën sot dhe të bëjmë krahasim me atë që ka qenë dikur. Kush mendon sot kështu, gabon. Prandaj Tirana ka mundësinë e madhe për t’u kualifikuar. Përderisa luajnë brenda fushës së tyre, është mundësi e artë për ta.
Ju ngacmojnë ende për golin që i keni shënuar Partizanit të Beogradit që duket se i keni bërë qejfin Crvena Zvezdës?
Shiko, ato dy ekipe janë rivale gjithë jetën dhe do jenë të tilla. Ata kanë kaq urrejtje për Partizanin, saqë u bënë me Flamurtarin dhe anasjelltas, tifozët e Partizanit do gëzojnë në qoftë se Tirana do të kualifikohet.
Dikur lojtarët nga Kosova vinin në Shqipëri, sot janë shqiptarët që luajnë në Kosovë. Si e shikoni këtë fakt?
Shumë normale më duket situata në Kosovë me futbollin. Këtu vazhdon anarkia, derisa nuk ka ligj, derisa nuk ka presidentë me të drejta të plota. Kosova po na jep leksione. Futbollistët janë më të mbrojtur dhe më komodë.
A keni një koment për situatën në Vlorë? A ka shpresa Flamurtari që të mund të ringrihet?
Situata në Vlorë është ajo që unë diskutova para katër ditësh në Këshillin Bashkiak. Ne si këshill vendosëm që çdo kërkesë dhe projekt që do administratori, t’ia plotësojmë me qëllim të vetëm që ekipi të jetë komod dhe të shikojë përpara për të realizuar objektivin e vetëm: ringritjen dhe përgatitjen e dokumentacionit për ta shitur bashkia Flamurtarin. Le ta blejë kush është i zoti.
Jeni zgjedhur anëtar bordi i klubit, si përfaqësues i bashkisë. Çfarë premtoni se do të bëni për ekipin?
Asnjë gjë më tepër se do ndikoj pozitivisht për çfarëdo lloj projekti që do vijë për të mirën e Flamurtarit. Ka edhe plot mënyra të tjera, por jo çdo gjë është në dorën time.
Kurti me thirrje për ambasadorët: Historinë e Kosovës tregoj...
Ronaldo beson se Reali do ta fitojë Championsin: Kush vë bas...
Jude Bellingham tregoi aftësitë e tij në gjuhën spanjolle në...
Morena Taraku luan në serialin e famshëm turk, këndon shqip
Forcat ukrainase shkatërruan një depo të dronëve rusë
U përplas nga makina, ndërron jetë në spital 65-vjeçari në T...